Në një raport të shtunën të ministrisë britanike të Mbrotjes thuhet se “gjasat janë që rekrutët e sapomobilizuar nga ana e Rusisë, të jenë pak ose aspak të stërvitur për luftë”.
Sipas raportit Moska po has ndoshta në vështirësi në aftësimin profesional të të mobilizuarve në shtator e me gjasë dhe të atyre që parashikon t’i rekrutojë brenda këtij muaji, si pjesë e një cikli të rregull vjetor.
“Forcat e Armatosura ruse po hasin vështirësi aktualisht me stërvitjen e rreth 300 mijë trupave si pjesë e mobilizimit të pjesshëm të njoftuar në shtator. Këtij numri pritet t’i shtohen edhe 120 mijë rekrutë të tjerë, mobilizimi i të cilëve nis më nëntor”, thuhej në njoftimin e ministrisë mbritanike të Mbrotjes.
Rusia ka shfrytëzuar Bjellorusinë për stërvitje, për shkak të mungesës së personelit për këtë qëllim, municioneve dhe objekteve për stërvitje.
“Dislokimi i trupave pak ose aspak të stërvitura, ofron pak aftësi shtesë luftarake sulmuese”.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara njoftuan se po ofrojnë rreth 400 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, ndërsa lufta ka hyrë në muajin e nëntë të saj.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha në një deklaratë se paketa e fundit mbi sigurinë “thekson përkushtimin e vazhdueshëm të Uashingtonit për të mbështetur Ukrainën, për të përmbushur nevojat e saj më urgjente, si dhe për të ndërtuar gjithashtu kapacitetet e Forcave të Armatosura të Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin e saj, në planin afatgjatë”.
“Që nga fillimi i sulmit të paprovokuar dhe brutal të Rusisë më 24 shkurt Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 18.2 miliardë dollarë për Ukrainën “, thuhej në deklaratën e Pentagonit. /VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje