Politike

Njëri kryetar dege i PD tjetri ish-deputet, Arjan Hoxha dhe Asllan Dogjani, kandidatët për primaret e Kamzës

Në primaret e PD për bashkinë Kamzë do të garojnë dy kandidatë: ish-deputeti Asllan Dogjani dhe kryetari i degës, Arjan Hoxha. Ky i fundit prezantoi të hënën kandidaturën.

“E kam marrë këtë vendim me qëllimin që së bashku me të gjithë demokratët, pa përjashtim, t’ua kthej bashkinë e marrë peng nga Edi Rama dhe Rakip Suli qytetarëve të Kamzës.

Qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit, më shumë se kushdo tjetër, janë dëshmitarë të trajtimit diskriminues, tallës dhe poshtërues që iu është bërë nga qeveria e Edi Ramës për të vetmen arsye se ata kanë qenë kurdoherë besnik ndaj të djathtës dhe Partisë Demokratike.

Diskriminimi ndaj këtyre banorëve mund të vërehej lehtësisht në deklaratat e mbushura me mllef dhe fyerje të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij, në mungesën e investimeve në punësim, shëndetësi dhe arsim, në heqjen padrejtësisht nga puna dhe skemat e mbështetjes sociale.

Sikur kjo sjellje e pushtetit qendror ndaj banorëve të Kamzës dhe Paskuqanit të mos mjaftonte, ardhja e Rakip Sulit në krye të Bashkisë Kamzë me vetëm 6% të pjesëmarrësve në zgjedhje, do ta vështirësonte edhe më shumë jetën për banorët e Kamëz dhe Paskuqanit. Sot, të gjithë janë dëshmitarë të aferave korruptive, abuzimeve dhe veprimeve arbitrare të Rakip Sulit dhe administratës së tij.

Por, në 14 Maj, pushteti lokal i Edi Ramës dhe Rakip Sulit në Kamëz dhe Paskuqan merr fund”, tha ai. Duke qenë edhe kryetar i degës së PD-së për Kamzën, Hoxha tha se nëse humbet brenda partisë, ai do të shtroje dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo kandidati që do të garojë për partinë përballë kandidatit të PS-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë