Gazeta Si – “Të gjithë elementët kryesorë të ndihmës sonë për Ukrainën kanë mbështetje dypartiake, në këtë politikë të jashtme të SHBA-së nuk do të ndryshojë pas zgjedhjeve afatmesme, sido që të shkojnë”.
Jake Sullivan, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dhoma e kontrollit strategjik të Shtëpisë së Bardhë për politikën e jashtme dhe ushtarake, ka folur në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Nju Jork, pak orë para hapjes së qendrave të votimit për votën legjislative.
“Ka një shumicë solide në Kongres, – vazhdon ai, – e cila ka qëndruar për tetë muaj. Kemi pasur disa zëra kundërshtues dhe do të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve, por në përgjithësi mbështetja është solide. Disa nga mbështetësit më të fortë të politikës sonë në Ukrainë janë republikanët”.
Sullivan vjen nga një udhëtim në Kiev ku u takua me presidentin Volodimir Zelenskij dhe ministrin e tij të Mbrojtjes Oleksi Reznikov.
Kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare është njeriu i dialogut “të nëndheshëm” me Rusinë.
Ai ka kontakte të rregullta me dy personalitete vendimtare të ekipit të Vladimir Putinit, këshilltarët e politikës së jashtme Yuri Ushakov dhe Nikolai Patrushev.
Bisedimet me rusët janë joformale dhe sekrete, nuk kërkohet të zbulohet asgjë për përmbajtjen e saktë.
Por një gjë është e qartë: Uashingtoni dhe Moska flasin rregullisht. Në dialog ndërhyjnë edhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit me homologët e tyre rusë.
“Këto kontakte në nivelet më të larta, – konfirmon Sullivan, – duhet të shërbejnë për të zvogëluar rreziqet e zgjerimit të konfliktit”.
Në veçanti, amerikanët përdorin këto kanale joformale për të përcjellë një mesazh të fortë: “Çdo përdorim i armëve bërthamore do të pasohej nga pasoja katastrofike për Rusinë”.
Për sa i përket “presionit” të fundit mbi Kievin, tashmë të rrjedhur në shtypin amerikan, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë shpjegoi se çfarë është.
Zelenskijt i është rekomanduar të tregojë hapje ndaj negociatave diplomatike, sepse kjo është gjithashtu e domosdoshme për të mbajtur të bashkuar frontin perëndimor, por Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron ta detyrojë Ukrainën të bëjë lëshime.
Aty ku ka një distancë mes pozicionit amerikan dhe Zelenskijt, në mes është Putini.
Presidenti ukrainas refuzoi të ulej në një tryezë bisedimesh me liderin rus që donte pushtimin dhe që urdhëroi bombardimet, masakrat e civilëve, sulmet mbi infrastrukturat thelbësore si rrjeti elektrik.
Sullivan thekson se “ndryshimi i regjimit” nuk është pjesë e aghendës së administratës Biden: “Nuk na takon neve të ndryshojmë sistemet politike të vendeve të tjera”.
Duke iu rikthyer rrezikut të rënies së opinionit publik të SHBA-së drejt mbështetjes së zgjatur për Ukrainën (sondazhet thonë se kjo rënie është reale, veçanërisht mes votuesve republikanë), Këshilltari i Sigurisë Kombëtare hedh poshtë nocionin se klasa punëtore “shikon vetëm situatën e tyre ekonomike. dhe jo betejën për vlerat”.
Sipas tij, pas pëlqimit dypartiak për ndihmën në Kiev, qëndron “gjithashtu patriotizmi i popullit amerikan, i cili dëshiron të ndihmojë popujt vëllezër të përkushtuar në mbrojtjen e lirive”. “Ne nuk kemi më një mentalitet të luftës së ftohtë, – thotë Sullivan, – dhe ne nuk bëjmë luftëra me prokurë. Por është e qartë se strategjia jonë përputhet me interesat e klasave tona punëtore”.
Një ndryshim midis Amerikës dhe dy superfuqive antagoniste, Rusisë dhe Kinës, “është cilësia e aleancave, shumëzuesi i vërtetë i forcës sonë”.
Ai vë në dukje se një nga rezultatet e agresionit rus kundër Ukrainës ka qenë që e ka sjellë NATO-n “në kulmin e fuqisë së saj, së shpejti edhe me hyrjen e dy vendeve të reja anëtare dhe me një projeksion të zgjeruar drejt Paqësorit falë sigurisë së re të bashkëpunimit që përfshin Australinë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje