Qindra protestues në Podgoricë bënë thirrje të martën në mbrëmje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Malin e Zi dhe për mbrojtjen e kushtetutshmërisë në vendin e vogël ballkanik që po përballet me një krizë politike, mes përplasjeve ndërmjet partive pro ruse e pro serbe në pushtet dhe opozitës pro evropiane të udhëhequr nga presidenti Milo Gjukanoviç.
Në protestën e organizuar nga Forumi i Qytetarëve të Lirë “Luça” e mbështetur nga partitë politike opozitare, u panë parulla si “Tradhtia nuk është demokraci”, “Nuk ka relaksim me fashizmin”, “Nuk do t’ju japim Malin e Zi” etj dhe u hodhën thirrje kundër qeverisë në largim të Dritan Abazoviqit dhe partive të shumicës parlamentare të udhëhequra nga Fronti Demokratik pro-rus.
Protestuesit që mbanin flamuj shtetërorë, pankarta dhe simbole kombëtare malazeze dhe flamuj të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, kërkuan organizimi i zgjedhjeve të parakohshme dhe siç thanë mbrojtjen e kushtetutshmërisë në Malin e Zi.
Kjo është protesta e dytë që nga fillimi i këtij muaji. Me 2 nëntor protestuesit kundërshtuan ndryshimet në Ligjin për presidentin, më te cilat paritë në pushtet synojnë kufizimin e përgjegjësive kushtetuese të presidenti aktual Milo Gjukanoviç dhe kalimin e tyre te parlamenti.
Të hënën presidenti Gjukanoviç, e ktheu ligjin për rishqyrtim në Parlament dhe e cilësoi atë si jokushtetues.
I tillë është vlerësuar edhe nga juristët dhe organizatat joqeveritare, ndërsa diplomatët e vendeve kryesore perëndimore thanë se po “i ndjekin me shqetësim zhvillimet politike në Malin e Zi”.
Bashkimi Evropian u shpreh i shqetësuar me votimin e ligjit për presidentin me 1 nëntor në parlament.
“Aktet legjislative duhet të jenë në përputhje me kushtetutën. Të gjithë aktorët politikë duhet të përmbahen nga çdo veprim që mund të thellojë më tej krizën institucionale dhe të dëmtojë institucionet demokratike të vendit. Për t’i dhënë fund ngërçit aktual, BE-ja u kërkon të gjithë aktorëve që ta shndërrojnë në përparësi ndërtimin e konsensusit dhe emërimin urgjent të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në votimin e radhës në parlament më 22 nëntor. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës është thelbësor për të siguruar legjitimitetin e zgjedhjeve demokratike”, thuhet mes tjerash në një deklaratë të BE-së në të cilën nënvizohet se përparimi në rrugën evropiane varet nga funksionaliteti i institucioneve demokratike.
Të premten në Podgoricë kryetari i Komisionit të Parlamentit Evropian për Bashkëpunimin me Malin e Zi, Vladimir Bilçik, tha se Mali i Zi ka nevojë për dialog të gjerë të spektrit politik.
“Evropa po i ndjek zhvillimet dhe po shpreh shqetësim, e kjo do të thotë se situata është e rëndë”, tha ai.
Mali i Zi është tronditur nga një krizë politike që pasoi rënien e qeverisë së kryeministrit Abazoviq dhe refuzimin e shumicës parlamentare për të hyrë në një proces të ri zgjedhor. Po ashtu, pothuajse të gjitha institucionet janë në gjendje të përkohshme vepruese, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila është pa kuorum.
Kryetarja e Parlamentit, Danijela Gjuroviç, ka caktuar për të mërkurën me 9 nëntor, një takim me udhëheqësit e të gjitha partive politike për të hapur siç tha dialogun në përpjekje për të tejkaluar krizën politike dhe institucionale. (VOA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje