Futboll

Lidhje me Ndragheta, dënohet me 2 vite burg kampioni i botës

Kampioni i botës me Italinë në vitin 2006, sulmuesi Vinçenco Iakuinta, është dënuar me dy vjet heqje lirie. Në seancën e fundit të “Aemilia”-s, procesit më të madh gjyqësor në Italinë e Veriut kundër “Ndrangheta”-s, ish-lojtari i Udinezes dhe Juventusit ka marrë këtë dënim. Ai akuzohej për lidhje me organizatën mafioze dhe mbajtje armësh pa leje. Për këto akuza ishte kërkuar 6 vjet heqje lirie për Iakuintën, por pas gjyqit në shkallën e parë, kishte rënë akuza e aktivitetit mafioz të ish-lojtarit të Italisë.

Një dënim shumë më të rëndë ka marrë babai i Vinçencos, Xhuzepe Ikauinta, i cili është dënuar me 19 vjet, pasi akuzohej për përfshirje direkte në një organizatë mafioze. Të dy ishin të pranishëm në sallë gjatë seancës së fundit dhe teksa po lexohej masa e marrë ndaj tyre, ata nuk janë përmbajtur dhe kanë bërtitur: “Qesharake, është një turp!”

Vinçenco Jakuinta

Sulmuesit që ngriti lart kupën e botës në Berlin, në 2006-ën i është gjetur një revolver “Smith&Wesson”, i kalibrit 357 magnum, një pistoletë “Kalt-tec” dhe 126 plumba. Këto armë ai i mbante në shtëpinë e babait të tij, i cili kishte lidhje të forta me familje të njohura mafioze në veriun e Italisë, pjesëtare të “Ndrangheta”-s. Jashtë sallës së gjyqit, Iakuinta është shprehur: “Fjalën “Ndrangheta” as nuk e dimë çfarë do të thotë në familjen tonë. Nuk është e mundur. Më kanë shkatërruar jetën për asgjë, sepse jam kalabrez, sepse jam nga Kutro. Po vuaj si qen për familjen time, për fëmijët e mi, pa bërë asgjë. Por kam fituar një kupë bote dhe jam krenar që jam kalabrez. Nuk kemi asnjë lidhje me “Ndrangheta”-n, nuk kemi bërë asgjë”.

Kohë më parë në Itali është shkruar në shtyp se familjet mafioze italiane kanë bërë presion që Iakuinta të luante gjithmonë titullar me Udinezen dhe të kishte më shumë minuta me kombëtaren italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë