Politike

Berisha: Të gjithë në protestë, përveç Bashës. Tubimi zgjat sa do populli  

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje të gjithëve në PD të vijnë në protestën e të shtunës. Përveç njërit: Lulzim Bashës. Ai, sipas Berishës,  duhet të sqarojë akuzën për përfitim nga paratë e paligjshme ruse.

“…Të gjithë mund të vijnë në protestë, përveç Lulzim Bashës, që duhet të sqarojë akuzën e tmerrshme.

Të tjerët janë anëtarë të PD, nuk mund të marrin leje te unë që të protestojnë.

Basha ka një akuzë të tmerrshme, ka deklaruar se nuk është e vërtetë, nuk ka dhënë asnjë fakt, asnjë provë për ato akuza që ekzistojnë aty.

Hetimi këtu nga selia po vazhdon.

Kështu që mendoj se është shumë i detyruar të zbardhë, të ketë burrëri, të tregojë edhe nëse i takon të hyjë brenda, ose të shpallet i penduari i drejtësisë, dhe fiton lehtësira.

Por të tregojë të vërtetën”, tha Berisha. Ai u pyet gjatë në konferencën për shtyp mbi detajet e protestës.

“Detyrat janë të ndara, unë kam fjalimin, bashkëpunëtorët e tjerë kanë skenarin, të tjerë kanë himnin.

Do ketë risira, ka nga të gjitha aspektet”.

“Ju kam deklaruar se opozita është në protestë, populli opozitar është në protestë kundër kësaj qeverie.

Populli opozitar do përdorë të gjitha metodat e mosbindjes civile dhe do shpallë moton e tij nesër në protestë.

Sepse ne nuk mund të pajtohemi kurrë me shpërbërjën e kombit shqiptar nga konfiskimi i lirive të shqiptarëve nga një qeveri e lidhur kryekëput me krimin, drogën, vjedhjen dhe mashtrimin.

Ne e kemi shumë seriozisht këtë betejë.

Berisha nuk dha kohë, por tha se protesta do të zgjasë sa të dojë populli.

“Policia në interesin e saj më të mirë, të mos bëhet mercenare e Edi Ramës.

Këtë i them policisë unë.

Ka Kushtetutë, protestuesit janë fuqia absolute morale e vendit.

Mjerë ai që i prek.

Protesta do të zgjasë sa të dojë populli shqiptar.

Sa t’i teket popullit opozitar. Ai është nesër sovrani i Shqipërisë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë