Politike

Foto-Video/ Opozita proteston tre orë para kryeministrisë, Berisha dhe Meta: Rama e ka vendin në burg!

Zgjati tre orë protesta e thirrur nga Sali Berisha. Pas fjalës përmbyllëse të këtij të fundit, organizatori i tubimit ka bërë thirrje për të ndezur disa qirinj para dyerve të kryeministrisë për disa nga viktimat që opozita fajëson Policinë. Në ato momente një pjesë e protestuesve canë kordonin e Policisë duke krijuar tension për disa minuta.  

Shumica ndezen qirinj, por disa prej tyre hodhen fishekzjarrë, ndonje goditi dyert e jashtme të kryeministrisë dhe gjuajten dukshem me bojë nje pjese te fasades. Pas ndërhyrjes së Policisë, ata janë zbrapsur në shkallet e kryeministrisë. Nga kjo përplasje e shkurtër pati edhe një të shoqëruar në polici.  

Më pas gjithçka vijoi e qetë dhe protestuesit u larguan paqesisht ashtu si edhe Policia. Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri foli për shoqërimin e protestuesit

Ai u shpreh se i riu është marrë me forcë nga policia pasi ka tentuar të vërë flamurin shqiptar në dritare te kryeministrise.

“Kemi informacion. Ka dashur të vendosë këtë flamur që është flamuri i Shqipërisë te dritarja e kryeministrisë.

Po të kishte pasur flamurin serb nuk do i thonin gjë se na prishej miqësia. Këtë flamurin e kanë shkelur me këmbë. I thashë njërit prej policëve kur je betuar, je betuar mbi këtë flamur”, deklaroi ai. Por Policia sqaroi me vone:

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në zbatim të detyrave të planit të masave, të hartuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, në përfundim të tubimit kanë konstatuar një shtetas që mbante në dorë një mjet prerës dhe kryente lëvizje të pakontrolluara.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë me profesionalizëm për të parandaluar çdo veprim të këtij personi, i cili mund të cënonte jetën e pjesëmarrësve në tubim dhe të punonjësve të Policisë që ishin në shërbim për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit përsa i përket rendit dhe sigurisë.

Shërbimet e Policisë e kanë neutralizuar dhe shoqëruar shtetasin J. Ç., 25 vjeç, nga fshati Gurrëz e Vogël, Lushnjë, i cili nga verifikimet paraprake rezulton person me probleme të shëndetit mendor.

Sqarojmë se përveç këtij shtetasi nuk ka asnjë person tjetër të shoqëruar nga shërbimet e Policisë dhe se tubuesit janë shpërndarë pa krijuar probleme përsa i përket rendit dhe sigurisë publike.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për qytetarinë e treguar gjatë tubimit dhe i garanton ata se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin, sigurinë, lirinë dhe të drejtat e qytetarëve”.

Protesta u thirr nga kreu i PD, Sali Berisha. Ky i fundit ishte i shoqëruar nga deputetet Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi, truprojet dhe një sërë simpatizantësh të tij që e rrethonin. Atij iu bashkua qe ne fillim te protestes, kreu i PL, Ilir Meta. Të dy ata qëndruan bashkë gjatë gjithë protestës dhe fjalimeve që u mbajtën nga artiste, studente, fermer, mjek apo pedagogë.

Pas tyre foli kryetari i PD-së, Sali Berisha.

“Ne mblidhemi sot këtu kur në njëlloj si 32 vite më parë, bota na shef si njerëzit e gomoneve.

Ndaj dhe të ndalemi për një moment se pse ne sot pas 32 vitesh u bëmë sërish njerëzit e gomoneve.

Mos vallë e ka fajin Shqipëria? Jo, kurrën e kurrës. Nuk ka vend të bekuar si kjo tokë, nuk ka vend më të pasur se ky vend.

Por shqiptarët janë sot populli i gomoneve sepse dikush, dhe ky dikush është Edi Rama, ju ka grabitur votën, ka shndërruar lirinë e tyre në iluzion, ka shndërruar votën e tyre në votë kallp, në votë fiktive vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet.

Ky armik i lirisë sonë, ky armik i votës suaj, nuk njeh ligj, nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh moral, nuk njeh asgjë dhe është vërsulur me të gjithë makinerinë e narkoshtetit që t’u rrëmbejë shqiptarëve votën, dhe bashkë me votën, dinjitetin, besimin, shpresën”, tha Berisha duke iu drejtuar direkt Edi Ramës.

“Këto ditë, mediat e Britanisë së Madhe, mediat e Europës shkruajnë se shqiptarët po ikin nga varfëria.

Kjo është aparenca. Sot shqiptarët janë njerëzit më të vjedhur të planetit.

Nuk ka asnjë vend ku ka njerëz të vjedhur gjer në palcë si në Shqipëri nga qeveritarë të pangopur, që nuk kanë asnjë normë morale, që nuk kanë më ligje, nuk kanë Kushtetutë.

Ne jemi sot në fillim të betejës sonë të madhe.

Edi Rama është shndërruar në një ordiner, që kalon nga mikrofoni në mikrofon me gjuhën më të ulët. Keni konstatuar, keni parë, se si në parlament ai flet dhe bën të skuqet, me fjalorin e tij, çdo fëmijë, çdo vajzë, çdo grua, çdo nënë, çdo prind kudo që është.

Tani, unë do i them këtu para jush: për atë gjuhë të jesh i sigurt se mund të përgjigjemi ty me të gjitha mënyrat që meriton, por të komunikoj sonte këtu vendimin e marrë.

Atje së shpejti do vijë gjykatësi sovran, do vijnë këta burra dhe gra”

Berisha tha se Rama e ka vendin në burg. “Brohorasim njëlloj si 30 vjet me parë, vdekje vdekje monizmit…Ti Edi Rama e ke vendin në burg dhe atje do të çoj”.

Berisha kishte një mesazh edhe për ndërkombëtarët.

“Dy fjalë për miqtë, partnerët e Shqipërisë. Opozita shqiptare ka trashëgiminë më të shkëlqyer të bashkëpunimit me ju.

Vendet anëtare të BE, vendet anëtare të NATO-s, partneri strategjik i shqiptarëve, SHBA, të gjithë ato që keni ndërtuar, bazuar mbi vlerat që ndani, mbi votën e lirë, mbi lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Kushtetushmërinë, zbatimin e ligjit.

Sot, ju bëj thirrje: mos mbështesni regjimin e Edi Ramës, sepse Edi Rama është armik i votës së lirë të shqiptarëve.

Çdo mbështetje për të, është dështim për shqiptarët.

Sikundër nga ky shesh, duhet t’ju deklaroj se Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve.

Stabiliteti dhe vota, stabiliteti dhe besimi, stabiliteti dhe e ardhmja, do jenë të pandara”. Por jo vetëm. “Ne u themi partnerëve tanë, se vetëm një Shqipëri sovrane, e respektuar, do mund të qëndrojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar për interesat e saj dhe të respektojë miqësinë dhe bashkëpunimin. E vërteta është se në këtë mënyrë si e trajtoni ju Shqipërinë e Edi Ramës, punoni kundër miqësisë, kundër bashkëpunimit me Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ai.

Berisha kishte një mesazh për votën kur i tha se “mjerë ai nëse prek votën”

“Të bashkoheni me ne, në mënyrë që Edi Ramës t’ia shkurtojmë ditët. T’i presim biletën. Për ku? Për aty ku e ka vendin.

Ndaj dhe ju përshëndes ju, slogani juaj: Edi Rama, o hajdut, boll vodhe, shko në burg, do bëhet realitet”.

Më herët foli Ilir Meta, i cili u shoqërua në podium me thirrjet nga protestuesit: “Rama ik”.

Me dy gishtat lart, Meta përshëndeti Berishën dhe më pas protestuesit, duke mbajtur një fjalim kritik prej 10 minutash ndaj qeverisë, e shigjetuar kryeministrin Edi Rama. Edhe Meta ashtu si edhe Berisha, i përmendi Ramës burgun.

“…Në himnin tonë nuk ekziston fjala dorëzim, por tradhtori, nga lufta veç ai largohet që është lindur tradhtor. Sot tradhtori e ndjek ketë miting të shqiptarisë nga charteri luksoz dhe i paligjshëm.

Shumë shpejt do jetë para drejtësisë, sipas ligjeve të tij dhe sipas firmave të hedhur nga vetë ai. Jeni ju që e mbani në këmbë këtë vend me sakrificat tuaja. Jeni ju që duhet ti kërkoni llogari kësaj qeverie sepse ju e mbani me taksa. Ju keni të drejtën ta shporrni qeverinë kur drejtuesit grabisin dhe vjedhin”, tha ndër të tjera Meta.

Në protestën e të shtunës iu bashkuan edhe deputetë që nuk janë rreshtuar me Berishën si Ervin Salianji Dashnor Sula dhe Dhurata Çupi.  

Protestës së organizuar nga PD iu bashkuan strukturat nga çdo degë.

Disa të rinj madje gjeten mënyrën origjinale të dalin në protestë me një gomone nje forme simbolike per emigrimin masiv te te rinjve drejt Britanise se Madhe. Ndërkohë kryeministri Edi Rama nuk ndodhej në Tiranë

Në fillim të protestës, regjizori Edmond Budina tha:  

“Unë personalisht ju ftoj që protestat tona të mos ndalen asnjëherë deri në fund me forcë, të mos shkulemi që këtu pa e shkulur mafien e pushtetit. Ne të luftojmë dhe të kemi një mosbindje civile deri në fitoren përfundimtare”.

 Ndërsa deputetja Rudina Hajdari gjatë fjalës së saj u përlot nga pjesëmarrja duke kujtuar të atin Azemin gjatë protestës.

“…Azemi e kishte mision jete kthimin e Shqipërisë në një vend të begate dhe kur ju shoh sa shumë jemi sot në këtë shesh mbushem me shpresë se ëndrra e tij do të realizohet…”

Ndërkohë protestuesit thërrisnin në kor: “Edi Rama o Hajdut boll vodhe shko ne burg! Edi Rama o hajdut boll vodhe shko ne burg!”

Nuk munguan mesazhet ironizuese me pankarta e foto ndaj kryeministrit Edi Rama.

Mes këtyre pankartave më pikante ishin ato me mbishkrimet; “Rama, brend korrupsioni”, apo dhe “Faleminderit që na qite në dritë” apo dhe “Oligark”.

Protestuesit e parë nderkohe kane qenë të pajisur me flamurin e PD me dy gishtat lart.

Ndërsa fasada e kryeministrisë ishte blinduar që prej mbrëmjes  të së premtes. Policia kishte lyer edhe shtyllat përballë Kryeministrisë me graso, për të shmangur dëmtimin e kamerave të vendosura nga ana e protestuesve. Ndërkohe pati edhe shkëputje të energjisë elektrike në një pjesë të Bulevardit që u njoftua nga vetë organizatorët.  “Ndizni dritat e telefonit që ta shohin sa jemi”, thane organizatoret


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë