Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha në fillim të mbledhjes së kryesisë së janë më shumë se 200 kandidatë që kanë plotësuar formularin për primaret brenda opozitës për bashkitë.
“Por ne sot kemi një mbledhje me rend dite, një çështje që është themelore për aktualitetin e PD-së. Miratojmë kandidaturat e paraqitura për bashkitë në përputhje me statutin nga bashkitë e vendit.
Komisioni i Operacioneve Zgjedhore më ka informuar mua se deri më tani janë mbi 200 e ca personalitete politike, të shoqërisë civile dhe të tjerë, të cilët kanë aplikuar për të kandiduar për qytetar të parë të bashkive tona.

Unë kam një falënderim për secilin prej tyre. Këta janë personalitete të shquara të partisë, të jetës publike të vendit, individë me jetëshkrim suksesi dhe secili prej tyre me kandidimin, me besimin që ka shprehur, dëshmon vullnetin për të qenë një misionar i rikthimit të pluralizmit politik dhe një shërbëtor i qytetarëve të cilët paraqiten për votëbesim në radhë të parë të anëtarësisë dhe simpatizantëve të PD, dhe më pas të qytetarëve të qytetit”, tha Berisha, duke ftuar median që të marrë emrat përfundimtarë pas mbledhjes së kryesisë.
Edhe pse Berisha e cilësoi një mbledhje rutinë kalimin e emrave, kryetarja e komisionit për zgjedhjet, Albana Vokshi tha se të martën do të diskutohen emrat e 26 degëve (nga 71 gjithsej) dhe vetëm ata që kanë depozituar formularin. Kandidaturat për degët e tjera vijojnë nesër, (e mërkurë).
Sipas saj, ka pasur edhe propozime të tjera por nuk kanë pranuar të futen në garë. Në listën e 200 emrave, 30 janë kandidatura femra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje