Politike

Poetja Mimoza Ahmeti dënohet për ndërtim pa leje, Rama: Prokuroria godet më të dobëtit

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të gjykatës për të dënuar me 40 orë punë publike poeten Mimoza Ahmeti, e cila akuzohet se ka kryer ndërtim pa leje në banesën e saj.

Në një postim në Twitter, Rama me ironi shkruan se pas këngëtarit Bojken Lako, dënohet edhe poetja për ndërtim pa leje.

Ai ka hedhur kritika kundër Prokurorisë, ku thekson se flenë me dhjetëra dosje denoncimesh të bëra nga autoritetet shtetërore për ndërtime të paligjshme në Tiranë.

“Pas një këngëtari, ja edhe një poete, që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara!”, shkruan Rama në Twitter.

Rama shton se patjetër që çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, por zelli milimetrik në dënimin e atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre, të bën për të vjellë përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës “ndaj atyre që për qëllime fitimi, bëjnë shkelje kilometrike! Tamam “mbretëri xhuxhash” ai organ drejtësie me të dobëtit dhe dobësie me të fortët”, – komenton kryeministri.

Ahmeti është dënuar pasi ka ndërhyrë në banesën e saj, e cila ka qenë e dëmtuar nga tërmeti.

Ndërkohë që në 7 prill të këtij viti u dënua me 3 vite burg edhe këngëtari Bojken Lako, me të njëjtën akuzë atë të ndërtimit pa leje, pasi sipas prokurorisë kishte hapur një dritare dhe kishte bërë instalime elektrike për qëllim krijimin e një studioje muzikore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë