Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se, “Evropa po jeton epokën e rrezikut të madh dhe të një lufte edhe më të madhe se ajo që vazhdon prej 9 muajsh në Ukrainë”.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku mori pjesë edhe Iratxe García Pérez, Presidente e Grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Balla u shpreh se, “Polonia është një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe për pasojë mbulohet nga neni 5 i Traktatit të Aleancës: “një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarësh në Evropë apo Amerikën e Veriut do të konsiderohet një sulm kundër (nesh) të gjithëve”.
Ndërkohë, shtoi ai, “që prej 24 shkurtit inflacioni i luftës së Putinit po prek njëlloj çdo familje evropiane, njëlloj çdo familje shqiptare. Sot më shumë se kurrë kërkohet të jemi të bashkuar, Evropa duhet më e bashkuar dhe çdo politikë mbështetëse që planifikon Komisioni për përballimin e luftës duhet të përfshijë njëkohësisht dhe njëtrajtësisht edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Sot, nënvizoi Balla, “kërkohet më shumë solidaritet, jo sepse solidariteti është vlera jonë dalluese, por sepse duhet të kuptojmë se Vladimir Putin është një kërcënim për demokracinë dhe vlerat tona Evropiane. Me angazhimin për solidaritet social, ne do të vazhdojmë të përkujdesemi për ata që janë më shumë në nevojë. Jemi ne socialistët evropianë që e iniciuam dhe po e zbatojmë në disa vende në Evropë taksën e jashtëzakonshme për prodhuesit dhe shpërndarësit e energjisë elektrike”.
“Ne do ta miratojmë taksën e jashtëzakonshme javën e ardhshme dhe tre prodhuesit e mëdhenj të energjisë do të paguajnë më shumë në buxhetin e shtetit, sepse lufta atyre u dha mundësinë të fitojnë më shumë. Ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë, ata që fitojnë më pak duhet të paguaj aspak ose më pak taksa. Ky është dallimi i madh i yni, i socialistëve evropianë, me të djathtën dhe konservatorët”, theksoi Balla.
“Ne socialistët qoftë në Tiranë apo në Bruksel, ishim të parët që e paralajmëruam se rreziku më i madh i luftës së Putinit ishte shpërthimi i inflacionit. Ne jemi duke bërë më të mirën, aq sa është e mundshme, në kushtet kur askush nuk e di se sa gjatë kjo luftë do të vazhdojë”, tha Balla.
“Është pikërisht lufta ajo që ka rritur çmimet kudo, duke filluar nga çmimi i energjisë, tek nafta dhe gazi dhe ushqimet e shportës. Mesatarisht, në vendet e BE inflacioni është mbi 10%, ndërkohë që SHBA po përjeton normën më të lartë të rritjes së çmimeve që pas luftës së dyte botërore. Niveli i inflacionit në Shqipëri është ende tek 8.5%”, u shpreh Balla.
Por, shtoi kreu i grupit parlamentar të PS, “ne e dimë mirë se duhet të jemi të përgatitur, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Ne si shumicë qeverisëse kemi zgjedhur të mos e rrisim çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe biznesin e vogël, pasi e kuptojmë se për shqiptarët energjia elektrike, sidomos në dimër, është një shërbim i pazëvendësueshëm. Pra konsumatori familjar dhe biznesi i vogël vazhdojnë të paguajnë të njëjtin çmim për energjinë elektrike, si para luftës, ndonëse në bursë prej muajsh çmimi i importit është shumëfishuar. Kjo është një arritje shumë e madhe”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje