Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj i ka dërguar një letër zyrtare Komisionit Europian por edhe Delegacionit të BE-së në Tiranë lidhur me projektin e ri të Portit të Durrësit.
“Nëpërmjet një letre të dërguar ditën e djeshme kam informuar Komisionin Evropian dhe Delegacionin e BE-së në Tiranë lidhur me projektin e Portit të Durrësit.
Në thelb të letrës, paraqiten shkeljet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit lidhur me parimet e konkurrencës së lirë (neni 71) dhe mosdiskriminimit (neni 74). Cdo ndihmë shtetërore – sanksionon MSA – që shtrembëron rregullat e konkurrencës, vjen në kundërshtim me këtë Marrëveshje.
Qeveria shqiptare ka pranuar se asnjë garë nuk është zhvilluar lidhur me këtë projekt dhe kompania fituese ka qenë e përcaktuar prej fillimi.
Projekti i Portit të Durrësit mund të jetë një rast unik në botë ku shteti ofron 818 mijë metra katrorë pronë publike, si dhe përjashtime nga taksat, me një vlerë totale 730 milionë euro, për të marrë mbrapsht vetëm 280 milionë. Vështirë ta thuash se ku qëndron leverdia ekonomike e shtetit shqiptar në këtë projekt”, shkruan Alibeaj.

Nga ana tjetër, sipas tij, investitori ka marrë përsipër të realizojë një investim 2.1 miliardë euro, në një kohë që ai ofron vetëm 160 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 1.94 miliardë Euro do të sigurohet nga palë të treta të panjohura.
“Duke vepruar kështu qeveria shqiptare jo vetëm ka shkelur rëndë parimin e konkurrencës së lirë, por ka diskriminuar cdo kompani shqiptare dhe europiane që mund të ishte e interesuar për t’u përfshirë në këtë projekt. Madje kjo do të ishte në interesin e vetë shtetit shqiptar, pasi mund të merrte një propozim më të leverdisshëm.
Në vëmendje të BE-së sollëm edhe raste të tjera të mëparshme, ku qeveria nëpërmjet ligjeve speciale iu ka akorduar pasuri, të drejta dhe privilegje kompanive private, cka tregon se kjo praktikë është kthyer tashmë në rutinë për qeverinë shqiptare”.
Alibeaj synon që përmes kësaj letre, Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së të ndjekin më vëmendje këtë rast dhe në përputhje me procedurat e tyre të hetojnë mbi përputhshmërinë e kësaj marrëveshje me parimet dhe standardet e MSA-së dhe legjislacionit evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje