Gazeta Si – Një video nga vija e frontit në Ukrainën lindore që tregon dorëzimin e një grupi ushtarësh rusë në një incident që duket se përfundon me vdekjen e tyre, ka ngjallur reagimin e Moskës, e cila nxitoi të akuzonte Ukrainën për ekzekutimin e të burgosurve rusë të luftës.
Nëse akuza të tilla do të vërtetoheshin, atëherë ngjarja do të përbënte krim lufte. Kievi nuk ka bërë ende asnjë koment.
Incidenti thuhet të ketë ndodhur në 12 nëntor ose pak përpara në Makiyivka, një fshat në vijën e frontit në rajonin e Luhanskut.
Nga ana tjetër, Rusia është akuzuar dhe vetë për krime të shumta lufte, duke përfshirë këtu vrasjen e civilëve në Bucha.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (Ohchr) po shqyrton videon e të burgosurve rusë të vrarë në Ukrainë.
Kështu ka thënë Marta Hurtado, zëdhënëse e zyrës së OKB-së. “Ne jemi në dijeni të videove dhe po i hetojmë. Pretendimet për ekzekutime të shkurtra duhet të hetohen menjëherë, plotësisht dhe në mënyrë efektive dhe të gjithë autorët duhet të mbahen përgjegjës”, tha Hurtado, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” në faqen e saj të internetit.
Ndërkohë, Rusia ka humbur 420 ushtarë në ditën e fundit, duke i çuar humbjet në radhët ruse në 83,880 që nga dita e sulmit të Moskës në Ukrainë, 24 shkurtin e kaluar.
Lajmi bëhet i ditur nga buletini ditor i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, i publikuar në Facebook, i cili raporton shifra që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Sipas raportit të ushtrisë ukrainase, humbjet ruse janë rreth 83,880 njerëz, 2,885 tanke, 5,815 automjete të blinduara, 1,867 sisteme artilerie, 393 raketa-hedhës të shumëfishtë, 209 sisteme të mbrojtjes kundërajrore.
Sipas buletinit, i cili saktëson se të dhënat po përditësohen për shkak të luftimeve intensive, forcat ruse kanë humbur gjithashtu 278 avionë, 261 helikopterë, 4.368 automjete, 16 njësi detare dhe 1.536 dronë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje