Politike

Përmbytjet në vend, Rama: KESH importoi energji për të mos rrezikuar rezervat

Kryeministri Edi Rama ka komentuar në Facebook situatën energjitike në vend si pasojë e reshjeve të dendura

“Prurja më e madhe e dizinformimit vjen lidhur me importin e energjisë. E vërteta është se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e reshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 Nëntor dhe nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike, duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji.

Sasia e reshjeve rezultoi në nivele ekstreme me vlera rekord në basenet e Komanit e të Vaut të Dejës – 150% e parashikimit sipas modeleve ndërkombëtare të analizës së motit! Vetëm në Theth në 12 orë kanë rënë mbi 400 mm shi me intensitet pik deri në 50 mm/orë. Kjo sasi reshjesh u përkthye në prurje që arritën deri në 4000 m3/sek në lumin Drin, ku vetëm në liqenet e Komanit e Vaut të Dejës prurjet anësore shkuan deri 3500 m3/sek.

Në këto kushte, qysh në datën 19 Nëntor u morën masat sipas protokolleve përkatëse, duke hapur portat e shkarkimit për të krijuar mundësi akumuluese në të dy këta liqene dhe duke garantuar sigurinë e digave.

Aktualisht punojnë të 9 agregatët e Komanit dhe Vaut të Dejës dhe sërish shkarkohet për shkak të prurjeve të papërballueshme.

Por, duke shkarkuar në mënyrë të kontrolluar, KESH ka siguruar që efekti i reshjeve në zonën e nën Shkodrës të mos ketë mbivendosje! Përkundrazi, e ka zhvendosur me disa orë efektin e Drinit në të gjithë kombinimin e prurjeve në këtë zonë (ku shkarkon Buna, Kiri, Gjadri, Moraça etj). Kjo zhvendosje me disa orë e efektit të lumit Drin ka bërë të mundur uljen e pikut të prurjeve maksimale në këtë zonë, duke e ulur nivelin maksimal të ujit”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë