Kryetari i Grupit të PD, Enkelejd Alibeaj i ka kërkuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që konferenca e kryetarëve të vendosë kohë të pakufizuar për diskutimin e marrëveshjes për Portin e Durrësit, që do të shqyrtohet në seancën e të enjtes në Kuvend.
“Rregullorja ka parashikuar si rregull të përgjithshëm të drejtën e çdo deputeti për të diskutuar 10 minuta.
Si rregull, koha e diskutimeve për një çështje të rendit të ditës është e barabartë me numrin e folësve të regjistruar në sekretari. Megjithatë, paragrafi i tretë i nenit 48 të Rregullores sanksionon se në raste përjashtimore, Konferenca e Kryetarëve mund të përcaktojë paraprakisht kohën e diskutimeve për çështje konkrete. Kjo dispozitë kërkon përmbushjen e dy kritereve: (i) nevoja; dhe (ii) çështja konkrete.
Duke u kthyer në rastin konkret, rezulton se Konferenca e Kryetarëve ka përcaktuar kohën e diskutimeve për marrëveshjen e Portit të Durrësit 6 orë. Megjithatë, ky vendim rezulton se nuk përmbush asnjë prej kritereve të sanksionuar nga neni 48, paragrafi i tretë i Rregullores.
Konkretisht, Konferenca e Kryetarëve nuk ka treguar se cila është nevoja konkrete për përcaktimin e kohës së diskutimeve.
Mospërmbushja e këtij kriteri do të mjaftonte për të konstatuar paligjshmërinë e kësaj vendimmarrje. Ndërkohë, Rregullorja nuk ofron ndonjë përcaktim sa i përket asaj që konsiderohet “çështje konkrete”, megjithatë është e qartë se një projektligj nuk përbën çështje konkrete, e për rrjedhojë nuk mund t’i nënshtrohet këtij rregullimi”, citon nenent e rregullores Alibeaj.
Nga ana tjetër, projektligji në fjalë, sipas tij, është i një rëndësie të veçantë, pasi ka të bëjë me tjetërsimin e një pasurie publike me interes kombëtar, strategjik dhe ekonomik.
“Për më tepër, që projektligji dhe aktet shoqëruese janë komplekse dhe meritojnë një debat parlamentar përmbajtësor. Miratimi i këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar dhe shtuar këtu edhe shqyrtimi në seancë plenare me kohë të kufizuar, janë tregues i qartë i vullnetit të qeverisë për të miratuar këtë marrëveshje me shpejtësi dhe pa një debat të thelluar parlamentar”.
“Kuvendi nuk mund të shndërrohet në një noter të vendimeve dhe akteve të Qeverisë, por duhet t’ia nënshtrojë ato një kontrolli dhe shqyrtimi përmbajtësor, në mbrojtje të pasurive dhe interesit publik të qytetarëve dhe shtetit shqiptar…”, thotë Alibeaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje