Bota

Kremlini: Do të arrijmë objektivat, por nuk duam ndryshimin e regjimit të Ukrainës

Gazeta Si – “Qëllimi i operacionit ushtarak rus në Ukrainë nuk është të provokojë ndryshimin e regjimit në Kiev”. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencitë ruse, i cili theksoi se “Rusia kërkon të arrijë objektivat e saj, duke i shkuar deri në fund”.

Në Kremlin “nuk ka diskutim” për mundësinë e një mobilizimi të dytë për rezervistët e ushtrisë ruse, shtoi po ashtu zëdhënësi i Putinit.

Në fund të shtatorit, Kremlini njoftoi mobilizimin “e pjesshëm” të rezervistëve për konfliktin në Ukrainë.

Zyrtarisht janë thirrur 300 mijë rezervistë. Në fund të tetorit, qeveria tha se kishte përfunduar mobilizimin, por asnjë dekret zyrtar për këtë nuk është publikuar.

“Nuk ka diskutime për këtë. Për Ministrinë e Mbrojtjes nuk mund të flas, Kremlini nuk po e diskuton atë”, tha Peskov, sipas agjencisë ruse të lajmeve “Interfax”, duke iu përgjigjur një kërkese për koment mbi zërat që qarkullojnë në internet për mundësinë e një thirrjeje të dytë.

Ndërkohë, një video e të publikuar nga Meduza, një agjenci e pavarur ruse e lajmeve me bazë jashtë vendit, tregon dy ushtarë rusë që përfunduan në pranga në Belgorod, pasi refuzuan të luftonin kundër Ukrainës.

Pamjet u shfaqën në disa kanale Telegrami ruse dhe ukrainase. Në video, dy burra me uniformë ushtarake dalin para komandantit, i cili i njofton për një procedim penal ndaj tyre për mosrespektim të urdhrit: kjo parashikon një dënim në formën e burgimit nga dy deri në tre vjet.

Më pas ushtarët ndalohen. Aktivistët e të drejtave të njeriut – thotë Meduza – besojnë se kjo video është xhiruar “si një paralajmërim për rekrutët e tjerë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë