Politike

Alibeaj kërkesë qeverisë: Të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në Shkodër, Lezhë dhe Durrës

Situata e reshjeve të ditëve të fundit ka shkaktuar problematika të rënda në zona të ndryshme të qarqeve Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Si pasojë e përmbytjeve, grupi parlamentar i PD-së, vëren se janë dëmtuar arat me të mbjella, bagëtitë, shtëpitë e qytetarëve, pasuri të trashëgimisë kulturore, si rasti i Urës së Bahcallëkut në Shkodër.

“Por, ajo që e bën më të rëndë situatën është dëmtimi i shëndetit dhe jetës së qytetarëve, sic ishte rasti i tragjik i humbjes së jetës së dy qytetarëve, babë e bir, në Malësinë e Madhe. Nisur nga ky bilanc tragjik për shëndetin, jetën, pronat dhe pasuritë e qytetarëve të këtyre zonave, ne vlerësojmë se përmbushen kriteret kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, thuhet në kërkesën e kreut të grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Neni 174 i Kushtetutës përcakton se “Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit”

Kushtetuta nuk përmban ndonjë përkufizim për situatën e fatkeqësisë natyrore, por ai jepet në ligji “Për mbrojtjen civile”.

Kjo dispozitë përcakton se fatkeqësitë natyrore janë fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit, temperaturat ekstreme dhe të tejzgjatura, rrëshqitjet artitektonike, ortekët, erërat e forta në tokë dhe det etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë