Bota

Masakër në SHBA, menaxheri i supermarketit vret me armë 9 persona e më pas dhe veten

Gazeta Si – Një tjetër masakër me të shtëna me armë zjarri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Disa persona – “deri në 10”, sipas informacioneve të para të dhëna nga policia lokale – u qëlluan dhe u vranë në rrjetin e famshëm “Walmart” të supermarketeve në Chesapeake të Virxhinias.

Ndërkohë që raportohet edhe për disa persona të plagosur. Sulmi ndodhi në orën 22.15 të mbrëmjes (me orën lokale) në Sam Circle, një zonë tregtare shumë e njohur nga të rinjtë.

Gjithashtu, sipas informacioneve fillestare, dyshohet se autor i masakrës ka qenë menaxheri i supermarketit, i cili më pas ka kthyer armën kundër vetes, duke u vetëvrarë.

Besohet se shumica e viktimave janë punonjës të supermarketit. Të shtënat – sipas policisë – u ndalën kur agjentët mbërritën jashtë dyqanit pa pasur nevojë të përdornin armët.

“Jemi të tronditur nga ajo që ndodhi në dyqanin tonë në Chesapeake”, shkroi rrjeti “Walmart” në Twitter.

“U drejtojmë lutjet tona të prekurve, komunitetit lokal, atyre që punojnë me ne. Ne do të ofrojmë të gjithë mbështetjen e nevojshme për hetimin”.

Të shtënat vijnë pas tre ditësh në Kolorado, ku një person vrau pesë persona në një klub të frekuentuar nga komuniteti i homoseksualëve.

Senatorja e shtetit të Virxhinias, Louise Lucas u shpreh e tronditur nga ngjarja, ndërsa shkruan në Twitter se Amerika duhet t’i japë fund ngjarjeve të tilla.

Në vitin 2019, nga të shtënat masive në një rrjet të “Walmart”-it në qytetin e El Paso në Teksas, mbetën 23 të vdekur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë