Në konferencën e përjavshme për shtyp, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se PD-ja do të protestojë më 6 dhjetor para kryeministrisë. Berisha la të kuptoje se Policia nuk u ka dhënë leje edhe pse siç u shpreh ai, nuk është e nevojshme marrja nje autorizimi nga ana e tyre
“PD është parti e shtetit ligjor, ka njoftuar policinë.
Kushtetuta e Shqipërisë dhe Gjykata Kushtetuese kanë vendosur, është krejtësisht i panevojshëm autorizimi i policisë.
Ne kemi njoftuar. Cila është përgjigja? Ajo që dikton Edi Rama, që bëri gjithçka dhe kujtoi se me këtë rast, do shfrytëzojë samitin për të shtypur liritë dhe të drejtat e popullit opozitar.
Ne e parashikuam këtë dhe ndaj thirrëm protestën,” tha Berisha. Protesta, sipas tij, do të jetë paqësore.
“Garantoj dhe siguroj se PD vendosmërisht, përcaktohet për një tubim, i cili ka synim më madhor paraqitjen më dinjitoze dhe civile dhe ka padiskutim në konsideratë të plotë garancinë e sigurisë së miqve që vijnë, respektin e hekurt dhe rigoroz të rregullave të mirëpritjes shqiptare.
Ky është qëndrimi.
Ndërkohë thirrja ime është për çdo shqiptar, të dalim atë ditë të protestojnë, për të dëshmuar përkushtimin tonë jetik ndaj vlerave evropiane, vlera të cilat në këto 8 vite janë bjerrur, janë deformuar dhe deri diku zhdukur nga regjimi i narkoshtetit të Edi Ramës, që e kanë konsideruar Shqipërinë që feston 110-vjetorin e pavarësisë, 53 vende më poshtë sesa shteti i ri i pavarur i Kosovës në treguesit e zbatimit të ligjit dhe liritë dhe të drejtave të qytetarëve, por mjerisht edhe katër vende nën diktaturën moniste të Vietnamit.
Pikërisht është dhunimi i këtyre vlerave, absolutisht faktori më themelor i shndërrimit të shqiptarëve për herë të dytë në 30 vite në ‘boat-people’, në njerëz të gomoneve. Në njerëzit e gomoneve. Ju besoj se i patë statistikat e djeshme të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Shqiptarët tejkalonin me distancë sirianët dhe afganët në dyndjen drejt Bitanisë së Madhe me gomone. Është një rast për të shprehur me dinjiteti, me civilitet, zërin tuaj, para lidershipit të BE-së.
Është e martë, është ditë pune, ora 12:00, por sakrifica ia vlen. Unë kam besim se do jeni të pranishëm”, tha ai.
Kryetari i PD tha se ka marrë mbështettjen e Metës, por nuk qartësoi nëse vetë Meta do të jetë aty. “Kam marrë mbështetjen e plotë nga Ilir Meta për 6 dhjetorin”.
Berisha komentoi edhe miratimin e projektit të Portit të ri të Durrësit.
“Ne, edhe njëherë, garantojmë se këtë projekt nuk do e lejojmë.
U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë, mos shpenzoni asnjë lek në këtë zonë krimi gjigant. U bëjmë thirrje kompanive shqiptare, mos u bëni ortakë në këtë vjedhje monstruoze të pronës publike.Tani zëvendësja dhe bashkëpunëtorja në vjrdhje e Ramës deklaron se do jenë 200 hektarë. Belinda Balluku.
Çdo njëri që merr përsipër të investojë, do i ketë paratë e humbura dhe do konsiderohet bashkëpunëtor në krim. Parlamenti ishte arenë solidariteti në këtë krim monstruoz. Por populli shqiptar do thotë fjalën e tij.
Parlamenti mbrëmë, se gjithçka u bë në errësirë, se njerëzit nuk e ndiqnin dot në 3:00 të natës.
Opozita mbrëmë paraqiti dhjetëra amendamente për buxhetin. U them se kanë qenë propozimet më racionale për t’i dhënë përgjigje krizës. Ato përfshinin çdo gamë, çdo shtresë, profesionet lira, rrogtarët, invalidët, të përmbyturit, nuk anashkalonin asnjë problematikë të krijuar nga kriza. Opozita paraqiti dhjetra amendamente. Këto amendamente jepnin një çlirim i dhimbjeve dhe ishin një mesazh për një kthesë rrënjësore, në transformimin e buxhetit në një buxhet për qytetarët dhe jo për hajdutët e shtetit.
Çdo amendament u hodh poshtë, përfshi edhe një amendament që paraqiti deputeti socialist, Erion Braçe, që nuk kishte asnjë synim tjetër, që të çlironte fermerët nga çmimi i rritur i uresë, nitratit dhe inputeve të tjera bujqësore. Asgjë, asnjë rresht, asnjë fjalë, të gjitha me një cinizëm ekstrem u hodhën poshtë. I mbetet popullit, u mbetet shqiptarëve të thonë fjalën e tyre në javët dhe muajt në vazhdim. Opozita është në këmbë në betejë dhëmb për dhëmb me këtë regjim dhe me protesta të vazhdueshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje