Bota

Arrestohet në Iran mbesa e liderit suprem Khamenei: Ky regjim vret fëmijë

Gazeta Si – Farideh Moradkhani, mbesa e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, përfundoi përsëri në burg, pasi u bëri thirrje qeverive të huaja të ndërpresin lidhjet me Teheranin për shkak të shtypjes së kryengritjes popullore.

“O njerëz të lirë, qëndroni me ne dhe u thoni pushtetarëve tuaj të mos mbështesin këtë regjim që vret fëmijë”, thotë gruaja në një video që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Mahmoud, vëllai i Faridehsë, ka publikuar videon në Youtube, të dy janë fëmijët e Badri Hosseinit, motrës së Khameneit dhe të një lideri opozitar, Ali Tehranit, i cili vdiq kohët e fundit.

Gruaja, e cila është inxhiniere, dyshohet se u arrestua të mërkurën e kaluar, pasi shkoi në prokurori pas një thirrjeje. Ajo rrezikon të dënohet me 15 vjet.

“Ky regjim nuk është besnik ndaj asnjë parimi të tij fetar dhe nuk njeh asnjë ligj apo rregull përveç atij të forcës dhe mbajtjes së pushtetit në çdo mënyrë të mundshme”, tha gruaja në video.

“Në këtë moment kritik të historisë, njerëzimi po vëzhgon popullin iranian, i cili me duar të zhveshura dhe me guxim të madh, lufton kundër forcave të së keqes”, – shton ajo.

Janarin e kaluar, Farideh u mbyll në burgun e Evinit, thuhet, sepse kishte takuar të venë e shahut të fundit, Fara Diba. Shtëpia e saj ishte kontrolluar dhe disa nga pasuritë i ishin konfiskuar.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 14,000 njerëz janë arrestuar që nga fillimi i protestave në shtator për vdekjen e Mahsa Aminit, vajzës 22-vjeçare kurdë, e arrestuar për veshjen e një velloje të papërshtatshme.

Të paktën 416 njerëz janë vrarë në goditjen e ndërmarrë nga ajatollahët, sipas një raporti të fundit nga OJQ-ja me bazë në Norvegji, “Iran Human Rights” (IHR). Mes tyre janë edhe 63 të mitur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë