Politike

Escobar skanon Ballkanin: Korrupsioni problem, do vijojmë ndëshkimin e zyrtarëve

Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë rol primar në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.

Kështu ka deklaruar emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Sipas tij, e kaluara ka treguar që bashkëpunimi me BE-në ka rezultuar i suksesshëm për të trajtuar disa çështje në të kaluarën.

Sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave, Escobar, ka thënë se ajo ka qenë e rëndësishme për uljen e tensioneve.

“Në vend të fokusimit në çështjet individuale që rrisin tensionet, palët duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Escobar.

Zyrtari i lartë i DASH, sipas radio Evropa e Lirë deklaroi se Kosova e ka për obligim formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nëse nuk zgjidhet kjo çështje, do të ekzistojë një cikël i vazhdueshëm krize.

“Mendoj se Qeveria në Prishtinë duhet ta shohë këtë çështje si mundësi. Ekzistojnë modele në Evropë që sigurojnë të drejta për minoritetet. Dhe ato veçse janë në Bashkimin Evropian. Ekzistojnë mënyra për të krijuar mundësi për të dyja vendet”, u shpreh emisar i posaçëm amerikan për Ballkanin.

Ai i ka bërë këto deklarata në një diskutim të organizuar nga Këshilli Atlantik – institut amerikan me seli në Uashington.

I pyetur nëse ekzistojnë afate për formim të Asociacionit, ai ka thënë se kjo çështje duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.

“Konflikti i ngrirë nuk i ndihmon askujt në rajon. Ky është konflikti i vetëm i tillë në Evropën Qendrore”.
Escobar ka thënë se problemi kryesor në Ballkan është korrupsioni dhe se autoritetet amerikane do të vazhdojnë sanksionimin e zyrtarëve në Ballkan që janë të përfshirë në të.

I pyetur për Ballkanin e Hapur, ai ka thënë se SHBA-ja mbështet çdo nismë që ndihmon në bashkëpunim ekonomik rajonal, por vetëm kur në ato nisma janë të anëtarësuara të gjashtë vendet dhe kur ato trajtohen në mënyrë të barabartë.

Escobar, po ashtu, e ka përshëndetur rikthimin e angazhimit në Procesin e Berlinit, dhe ka thënë se pret zbatimin e marrëveshjeve të arritura në takimin e fundit.

Marrëveshjet kanë të bëjnë me njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.

Marrëveshjet e nënshkruara duhet fillimisht të ratifikohen para se të hyjnë në fuqi. Procesi i Berlinit është krijuar në vitin 2014 si platformë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – për të përshpejtuar përafrimin e tyre me BE-në.

Sa i përket rajonit, ai ka lavdëruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në kryerjen e reformave për rrugën drejt anëtarësimit në BE. Sa i përket Malit të Zi, ai theksoi se për shkak të krizës së rëndë kushtetuese, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë