Lajme

Tryeza e partive: domosdoshmëri reforma zgjedhore e vërtetë

Mbi 30 parti politike, shoqata të shoqërisë civile dhe individë janë mbledhur ditën e sotme në Tiranë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të barabarta. Tryezës iu bashkua edhe ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Bashkëkryetari i tryezës, kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ritheksoi domosdoshmërinë e reformës zgjedhore, të vërtetë dhe jo si farsë e PS dhe PD.

Tryeza miratoi dy rezoluta, një për zgjedhjet e lira dhe të barabarta dhe një për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.

Tryeza konstatoi:

1-Reforma elektorale është bllokuar në mënyrë të vetëdijshme me marrëveshjen PS-PD për të mos lejuar çlirimin e zgjedhjeve nga diktati i tyre. Ato, me Komisionin e Posaçën të Reformës Zgjedhore, nuk kanë ndërmend të pranojnë një Kod të ri Zgjedhor, por të bëjnë disa ndryshime pa vlerë që lënë në fuqi kodin aktual.

2-PS dhe PD nuk duan të bëjnë një reformë zgjedhore me standarde, por një farsë zgjedhore që nuk i çliron zgjedhjet nga kontrolli i tyre. Qëllimi i tyre është i qartë. Partitë e vjetra duan që të mashtrojnë institucionet e Bashkimit Europian, që e kanë vënë si kusht reformën zgjedhore për hapjen e negociatave me BE-në në qershor 2019. Ne nuk duam një reformë zgjedhore gjysmake, por një reformim që do t’i japë fund blerjes, vjedhjes, manipulimit, deformimit, intimidimit dhe kontensimit të zgjedhjeve nga lukunia e komisionerëve dhe numëruesve të PS dhe PD.

3-PS dhe PD kërkojnë që të ruajnë kontrollin partiak mbi zgjedhjet dhe të diskriminojnë operatorët e tjerë të tregut duke mbajtur në fuqi zgjedhjet e pabarabarta, duke mos zbatuar rekomandimin e OSBE-së që zgjedhjet të mos prodhojnë diskriminim për askënd, duke mos hequr pengesat artificiale mbi partitë joparlamentare, duke cenuar dhe diskriminuar të drejtat e partive të tjera, shoqatave dhe individëve gjatë zgjedhjeve, në sistemin zgjedhor dhe në administrimin e tyre.

4-Partitë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe individët shprehin shqetësimin që reforma zgjedhore është në rrezik nëse nuk zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe kërkesat e të gjitha partive, shoqatave dhe individëve që duan një reformë zgjedhore të vërtetë dhe sipas standardeve demokratike dhe europiane.

5-Tryeza u kërkon sërish institucioneve të komunitetit ndërkombëtar që monitorojnë Shqipërinë që reforma zgjedhore të eliminojë kontrollin politik mbi administratën zgjedhore. Të zbatohet rekomandimi kryesor i OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e zgjedhjeve, duke depolitizuar plotësisht administratën zgjedhore, duke vënë në krye të procesit zgjedhor një individ konsensual ose një institucion me njerëz krejtësisht të pavarur nga partitë dhe jo një KQZ e komanduar nga PS dhe PD, ndërsa administrimi i zgjedhjeve të bëhet nga pedagogët e universiteteve, punonjësit e bankave, avokatët, studentët ekselentë të masterit të fakulteteve juridikë dhe jo nga militantët e partive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë