Politike

Samiti i 6 dhjetorit, Rama flet per AP: Një ogur i mirë për të ardhmen

“Momenti është fantastik. Askush nuk mund ta imagjinonte dy vjet më parë dhe tani po ndodh”. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në një intervistë për ”Associated Press”.

Sipas tij, një samit i BE-së në Tiranë, në kryeqytetin e vendit të tij demonstron interesat e rritura gjeostrategjike të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Kryeministri shqiptar Edi Rama do të jetë pritësi i takimit njëditor që synon nesër rindezjen e procesit të zgjerimit të BE-së.

Sipas Ramës, lufta në Ukrainë siguroi një kujtesë të cenueshmërisë së rajonit dhe i dha BE-së një nxitje për t’i çuar vendet e Ballkanit Perëndimor në bashkësinë demokratike të Evropës.

Shefi i qeverisë shqiptare ka kritikuar më parë BE-në për hezitimin për të pranuar anëtarë të rinj. Gjashtë vendet në qendër të samitit: Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë marrë siguri për vite me radhë, por kanë parë se hapat e tyre drejt anëtarësimit janë bllokuar. 

Ai tha se ”blloku veçanërisht duhet të punojë me Serbinë, e cila nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë gjatë kohës së luftës”.

“Zëri i përbashkët i Ballkanit Perëndimor… ndihmoi të shtyjnë më shumë liderë të BE-së për të çuar vendet në rrugën e anëtarësimit sepse iu duhet Ballkani Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”, tha Rama.

Kryeministri e quajti takimin e nesërm si “ngjarja më e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare (të Shqipërisë)”, duke vënë në dukje se vendi ish-komunist ishte deri në vitin 1990 plotësisht i shkëputur nga bota dhe nga Evropa”.

”Samiti do të sjellë shumë për Ballkanin Perëndimor, për vendin tonë, shumë energji pozitive, shumë shpresë, shumë rrugë të reja, shtigje të reja, të cilat do të përcaktohen në hapat e ardhshëm”, tha Rama.

Ai shtoi se “Vendimi i BE-së për të mbajtur samitin jashtë territorit të saj është një ogur i mirë për të ardhmen”.

Rama argumentoi se marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht atyre që përbënin ish-Jugosllavinë, nuk kanë qenë kurrë më të mira, megjithëse ai pranoi se refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës “është ende si elefanti brenda në një dhomë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë