Dy ditë pas grushtit ndaj tij në protestën e 6 dhjetorit, Sali Berisha është shfaqur në selinë e PD në një takim me ish-Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç.
Kryetari i PD-së shihet me syze dielli, pasi në fytyrën e tij ka ende shenja nga grushti i Gert Shehut, i cili e goditi teksa ai po marshonte drejt Bulevardit në protestën e paralajmëruar ditën e Samitit të BE-së, Ballkani Perëndimor.

“Personi i zgjedhur që do më godiste është informator i policisë kriminale, me të cilin është marrë një nga figurat më të zeza të historisë së shtetit shqiptar”, u shpreh Berisha.
“Kam qenë shumë i shqetësuar dhe kam pyetur ndihmësit e mi çdo 15 minuta”, i tha Mesiç Berishës. “E kam ditur që në fillim se është një sulm i organizuar. Përvoja ime e gjatë në politikën ballkanike më tregon se kjo nuk mund të ishte një rastësi”.




“Kryetari i PD i ka shpjeguar mikut të Shqipërisë dinamikën e ngjarjes duke theksuar se goditja u bë nga një informator i Policisë, me porosi të ministrit Çuçi dhe vetë Edi Ramës”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD.
Më pas Berisha u ndal te dramat aktuale të Shqipërisë, shpopullimi dhe rënia e pluralizmit nëpërmjet paralizimit dhe manipulimit të votës së lirë, por edhe përpjekja për të zhdukur opozitën.
Ish-presidenti kroat tha se kryetari i PD është dëmtuar fizikisht, por është ndihmuar politikisht. “Ata ju kanë bërë nder me këtë sulm dhe kanë dëmtuar veten”, shtoi ai. Mesiç i tha Berishës “ju jeni babai i demokracisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Ju i duheni Shqipërisë, shqiptarëve dhe Europës, sepse jeni demokrat”, përfundoi ai.
“Në fund pyetjes se pse kundërshtari i tij mund ta bëje këtë, Berisha iu përgjigj: Edi Rama nuk e gëzon dot një sukses të vetin, sado i madh qoftë, pa dhunuar kundërshtarin. Është në psikën e tij”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje