Bota

Korrupsioni, ish-eurodeputeti italian arrestohet në Bruksel. Nën hetim edhe deputetja greke

Gazeta Si – Korrupsion ndërkombëtar nga Katari: kjo është vepra penale e dyshuar, me të cilën u arrestuan nga policia në Bruksel, Antonio Panzeri dhe Luca Visentini, përkatësisht ish-deputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Sindikatave Ituc, së bashku me dy persona të tjerë me origjinë italiane.

Hetuesit dyshojnë se një vend i Gjirit, pa specifikuar se cili, ka tentuar të ndikojë në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian.

Sipas gazetës belge “Le Soir”, vendi në fjalë do të ishte emirati i Lindjes së Mesme ku po zhvillohet Kupa e Botës.

Në shënjestër të drejtësisë belge janë edhe Eva Kaili, nënkryetare e Parlamentit Evropian dhe partneri i saj.

Gjykata federale belge konfirmoi ndalimin e katër personave, përfshirë Panzerin dhe Visentinin.

Tani, gjyqtari-hetues në 48 orët e ardhshme mund të vendosë të lëshojë ose jo një urdhër arresti.

Në kuadër të operacionit të mëngjesit të 9 dhjetorit, policia ka kryer 14 kontrolle. Në Bruksel, në shtëpinë e Panzerit, sipas “Le Soir”, hetuesit gjetën 500 mijë euro cash.

Të gjithë të arrestuarit janë me kombësi ose origjinë italiane. Mes tyre edhe drejtor i një OJQ-je dhe një asistent parlamentar.

Antonio Panzeri dhe Luca Visentini janë dy personalitete mjaft të njohura në qarqet e Brukselit.

Panzeri ishte eurodeputet për tre mandate, nga viti 2004 deri në vitin 2019. Me origjinë nga Bergamo, anëtar i udhëheqjes së DS-së, Panzeri u zgjodh në Eurodhomë në listën United in the Olive tree dhe u rikonfirmua në Strasburg në zgjedhjet evropiane të vitit 2009.

Në vitin 2014 ai u zgjodh eurodeputet për herë të tretë, në listat e Partisë Demokratike, por në vitin 2017 u largua.

Ai mbajti poste të ndryshme në Eurodhoma dhe ishte, ndër të tjera, kryetar i nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut.

“Le Soir” nënvizon se të arrestuarit janë shumë aktivë në shoqata dhe OJQ në mbështetje të të drejtave të njeriut: “Panzeri është gjithashtu president i Fight Impunity, një organizatë jofitimprurëse që promovon ‘luftën kundër mosndëshkimit për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut’ dhe drejtësinë ndërkombëtare.

“Katari i dyshuar për korrupsion në zemër të Evropës”, – titullon gazeta “Le Soir”. Ndërsa “Knack”, shkruan: “Kupa e Botës në Katar: 16 shtëpi të kontrolluara në kuadër të një hetimi për korrupsion në Parlamentin Evropian”.

“Për disa muaj, hetuesit e policisë gjyqësore federale kanë dyshuar se një vend i Gjirit Persik ka ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian, duke paguar shuma të mëdha parash ose duke ofruar dhurata të rëndësishme palëve të treta me një pozicion të rëndësishëm politik dhe/ose strategjik brenda Parlamentit të BE-së”, – njoftoi Prokuroria Federale, duke shtuar se “kontrollet kanë lejuar hetuesit të sekuestrojnë 600 mijë para cash. Gjithashtu janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe celularë, elementë që do të analizohen në kuadër të hetimit”.

Socialdemokratja greke Eva Kaili, nënkryetare e Parlamentit Evropian, dhe partneri i saj janë gjithashtu të përfshirë në hetimin ndërkombëtar të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Hetimet në fakt kanë përfshirë Kailin, e cila po hetohet për korrupsion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë