Bota

Tragjedia ajrore në Lockerbie, arrestohet pas 34 vjetësh libiani që prodhoi bombën

Gazeta Si – Abu Agila Masud, shtetasi libian i akuzuar për prodhimin e bombës që shkatërroi gjatë fluturimit avionin “103 Pan Am” mbi Lockerbie në Skoci 34 vjet më parë, është në duart e autoriteteve amerikane.

Sipas BBC, njeriu i cili sipas Shteteve të Bashkuara luajti një rol kyç në atentatin e 21 dhjetorit 1988, ishte në kërkim prej dy vitesh.

Muajin e kaluar, doli se Masud ishte rrëmbyer nga milicia në Libi dhe u spekulua se ai do t’u dorëzohej autoriteteve amerikane për gjykim.

Shpërthimi në qiellin skocez

Më 21 dhjetor 1988, një shpërthim avioni mbi fshatin skocez Lockerbie, vrau të gjithë 259 njerëzit në bord – pasagjerë dhe ekuipazh (përfshirë 190 amerikanë) – dhe 11 persona të tjerë, të vrarë nga rrënojat e avionit që ra mbi shtëpitë e tyre. Trembëdhjetë vjet më vonë, libiani Abdul Basset al Megrahi, u dënua me burgim të përjetshëm si organizatori i bombës në “Pan Am 103”, pasi u gjykua në një gjykatë skoceze të mbledhur posaçërisht në Holandë.

Por ai u lirua për arsye humanitare nga qeveria skoceze në vitin 2009, pasi u diagnostikua me kancer dhe vdiq në Libi në vitin 2012.

Hetimi vazhdon

Një zëdhënës i Prokurorisë Skoceze, tha: “Familjet e të vrarëve në sulmin me bombë në Lockerbie, janë njoftuar se i dyshuari Abu Agila Mohammad Masud Kheir Al-Marimi është në paraburgim në SHBA. Prokurorët dhe policia skoceze, në bashkëpunim me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe kolegët amerikanë, do të vazhdojnë të ndjekin këtë hetim, me qëllimin e vetëm për të sjellë para drejtësisë ata që vepruan përkrah Al Megrahi-t”.

Hetimi nga vëllai i një prej viktimave

Roli i Masudit në organizimin e masakrës ishte theksuar nga një dokumentar i publikuar në “PBS” në vitin 2015, i shkruar dhe prodhuar nga Ken Dornstein, vëllai i njërës prej viktimave: “Nëse ka një njeri ende gjallë që mund të tregojë sekretet e fluturimit 103, ai është Masud, – i shkroi Dornstein gazetës “New York Times”. – Varet nga ai në fillim, nëse është gati të flasë”.

Gjyqi në Holandë

Pas rënies së Gadafit, në vitin 2012 Masud foli për përfshirjen e tij në atentatin ndaj një anëtari të gjyqësorit libian.

Pesë vjet më vonë ai u padit, pa çuar në ndonjë ndjekje penale. I vetmi gjyq për çështjen “Lockerbie” u zhvillua në Holandë, ku qeveria e Tripolit kishte rënë dakord të ekstradonte dy libianë të kërkuar nga amerikanët dhe britanikët që nga viti 1991, Abdel Basset Ali al-Megrahi dhe Al-Amin Khalifa Fhimah.

Në atë kohë, Gadafi kishte interes të tregonte njëfarë bashkëpunimi me Perëndimin.

Dhe kështu në vitin 2001, në përfundim të gjyqit, Fhimah u shpall i pafajshëm dhe al-Megrahi u dënua me burgim të përjetshëm sipas ligjit skocez.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë