Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha përmes një konference për shtyp se volitet një përmbysje politike që drejtësia, sipas tij, të jetë e pavarur.
“Drejtësia e re ka pësuar metamorfozë antikushtetuese në procesion e krijimit të institucioneve të reja, pasi kjo qeveri dhe mazhorancë përmes ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën, procedurave jo transparente, përmes kontrollit politik të vettingut, për shkak se të gjitha instrumentet i kontrollon qeveria si rezultat i kapjes së shtetit, padyshim që ka kontroll të qartë politik ndaj drejtësisë së re, institucioneve të hetimit, gjë që ka nisur me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota e në vijimësi.
Ky është një presion që ndihet çdo ditë dhe rezultatet e Shqipërisë sa i takon Luftës Kundër Korrupsionit, aferat e panumërta tregojnë qartë se ky sistem është në një presion të fortë politik, ashtu sikurse është e qartë se kjo qeveri ka injoruar prokurorinë, gjykatat, veprimet e saj haptazi arbitrare të dhunshme, të paligjshme kanë injoruar gjykatat siç ishte rasti i shembjes kriminale, të paligjshme të “Prestige Resort” para samitit të BE, shumë element të tjerë tregojnë që duhet një përmbysje politike që ti jepet mundësia drejtësisë të jetë e pavarur”, tha Meta.
Kryetari i PL-së është ndalur edhe tek tensionet ne veri të Kosovës.
“Është e qartë që burimi i tensioneve vjen nga politika e vjetër provokative nga Beogradi, i cili kërkon të krijojë tensione të panevojshme ne veri të Kosovës, por edhe në rajonin tonë. Kjo nuk shkon në interes të askujt më shumë sesa thjesht Rusisë. Kjo tregon se kush është faktor që minon vlerat e bashkëjetesës ndëretnike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin tonë.
Ne kemi mbështetur dhe mbështesim institucione legjitime të Kosovës. Mbështesim KFOR dhe institucionet ndërkombëtarë që janë atje dhe apelojmë për dialogun si të vetmen rrugë jo vetëm të normalizimit të situatës atje, por edhe për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin final njohjen reciproke”, tha Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje