Politike

Projekti i Durrësit dhe i Porto Romanos, PD: Rama do t’i vjedhë dy herë shqiptarët  

Anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo ngriti disa pyetje për projektin e Portit të Durrësit, duke iu referuar deklaratave të kryeministrit për portin e ri që do të zhvendoset në Porto Romano    

“Qeveria ka vendosur që  të hapë garën ndërkombëtare për një projekt qe kushton 390 milionë euro, pasi ka hartuar së bashku me konsulentin ndërkombëtar, të gjitha studimet përkatëse.

Pyetjet që ne ngremë sot janë:

Perse kjo skemë nuk u zbatua edhe me projektin e ndërtimit të apartamenteve, hoteleve dhe marinës, dmth në projektin Alabar që kushton 2 miliardë euro?

Përse, gara që zv/kryeministria Balluku e konsideron të domosdoshme, nuk u aplikua edhe ne rastin e projektit Alabar?

Përse u negociua drejtërsëdrejti me Alabar, pa hapur garën dhe vendosur kritere specifike?

Perse 80 deri në 150 ha i jepen pa garë Alabar për të ndërtuar dhe fituar?

Perse Alabarit i falen 150 milione euro ne taksa?

Përse toka e ndërtimit i jepet me 1 euro, ndërsa për Portin e ri të Durrësit u dashka hapur gara? 

Përse nuk u mor një konsulent ndërkombëtar që të përgatitej një projekt ndërkombëtar dhe i gjithë projekt të tenderohej ndërkombëtarisht?

Cilin standard duhet të besojmë: atë që qeveria prezanton përpara ambasadorëve, apo atë që Rama zbaton me mikun e tij Alabar?”, pyeti Bozdo

 “ Së dyti, qeveria sapo na pohoi faktin që edhe porti i ri do të ndërtohet me koncesion: Sipas qeverisë, 54% të financimit do te mbulohet nga kompania ndërtuese. Kjo, po sipas qeverisë, ‘…nuk do të rëndojë në buxhetin e shtetit sepse do të paguhet nga Autoritetit Portual i Durrësit…’

54% e një investimi 390 milionë euro është 210 milionë euro. Po të marrim parasysh që fitimi vjetor i “Porti Durrës sha” është rreth 2 milionë euro në vit, kuptohet që do të duhen më shumë se 100 vjet për të shlyer këtë investim.

Asnjë skemë biznesi nuk mund të qëndrojë me matematikën e kësaj qeverie. Prandaj ky është një mashtrim i pastër, për ti shitur opinionit publik PPP mashtruese të radhës”, vijoi Bozdo.

Sipas tij, Rama ka vendosur të vjedhë dy herë shqiptarët. “E para nëpërmjet projektit “Alabar”, që ka filluar të shesë në ajër apartamentet e pa ngritura që tani, dhe e dyta nëpërmjet një PPP tjetër me të cilin do të ndërtohet Porti i ri i Durrësit.

Lekët do ti paguajnë shqiptarët, pavarësisht nëse janë të majtë apo të djathtë. Rrënimi i Shqipërisë po ndodh njësoj, për të majtë e të djathtë. Largimi i shqiptarëve dhe zbrasja e vendit i ka prekur të gjithë, të majtë dhe të djathtë. I vetmi që fiton është Edi Rama, që nuk është as i majtë dhe as i djathtë, por rreziku numër një i Shqipërisë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë