Gazeta Si – Qyteti i Kievit, kryeqyteti i Ukrainës, dhe rajoni përreth janë sulmuar nga të paktën 10 dronë iranianë të nisur nga forcat ruse. Lajmi u raportua në Telegram nga kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko.
Ai tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar të paktën 10 dronë Shahed, të prodhimit iranian.
Autoritetet ushtarake në qytetin e Kievit thanë se fragmente të një droni kanë goditur dy ndërtesa administrative që gjenden në qendër të qytetit.
Ukraina e ka akuzuar Iranin se po e furnizon Rusinë me dronë “kamikazë” që janë përdorur fillimisht në sulmet vdekjeprurëse të 17 tetorit. Por, Teherani fillimisht kishte mohuar këto akuza.
Më vonë, Irani pranoi se i ka dërguar Moskës një numër të kufizuar të dronëve “shumë muaj” para se të niste lufta më 24 shkurt.
Në përgjigje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se këto janë gënjeshtra dhe se shumë dronë iranianë po përdoren për të sulmuar shtetin e tij.
Guvernatori i Kievit, Kuleba, tha se “sistemi i mbrojtjes ajrore po operon. Është e rëndësishme që banorët të qëndrojnë në strehimore dhe në vende të sigurta. Rusia po vazhdon terrorin e saj të energjisë kundër shtetit tonë. Por, ne dita-ditës po bëhemi më të fortë”.
Që nga muaji tetor, Rusia vazhdimisht ka shënjestruar infrastrukturën e energjisë ukrainase.
Për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike, shumë ukrainas po përballen me reduktime të energjisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje