Politike

Berisha: Rama ka shkarkuar shefin e SHISH, Helidon Bendon dhe ka vënë këshilltarin e tij. Në SPAK do emërojë Kondilin   

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar përmes një konference për shtyp se shefi i SHISH, Helidon Bendo, që ndodhej në SHBA për një trajnim të gjatë nuk është lejuar të kthehet në detyrë nga kryeministri Rama. Sipas Berishës, Rama ka emëruar ‘de fakto’ dhe ‘de jure’ nëndrejtorin e SHISH, Oljan Kanushi, ish këshilltar i kryeministrit.

Në bazë të ligjit, Drejtori i SHISH propozohet nga kryeministri dhe firmoset më pas nga Presidenti. Edhe në rastin e shkarkimit ndodh e njëjta procedurë.   

“Informoj shqiptarët se në dhunim flagrant të Kushtetutës së vendit, në një akt mafioz të pashembullt, shefit të shërbimit informativ, të emëruar në përputhje me Kushtetutën e vendit nga Presidenti i Republikës, të dërguar për shkollim në SHBA, pas kthimit nga shkollimi në kundërshtim me ligji, i mbyllen dyert e shërbimit dhe nuk i lejohet të marrë detyrën, pa asnjë akt, pa asnjë vendim, të atij që supozohet të jetë kryetar shteti, dhe që mbron firmën e institucionit.

Shefi i shërbimit informativ kombëtar, propozohet nga kryeministri, por emërohet nga presidenti, dhe po me ligj, ai u raporton të dyve.

Ky është një akt i turpshëm, që dëshmon se këtu nuk ka shtet, por ka vetëm një njeri që nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe parim dhe ky është Edi Rama”, tha ai

Sipas Berishës, drejtuesi i SHISH ka marrë urdhër që të mos komunikojë me partnerët

“Unë ju kam informuar që Kanushi që ka dërguar Edi Rama nga enturazhi i tij më i ngushtë, nuk ka punuar një ditë të vetme. Nuk ka qenë as informator. Dhe merr shërbimin si një militant i verbër. Me dy porosi, e para që do lartësohesh në detyrë nëse nuk komunikon me partnerët. Është absolutisht e vërtetë kjo. Nuk ka ndodhur kurrë, një porosi e tillë nuk është dhënë kurrë.

Pa komunikim me partnerët, shërbimi është larg çdo mundësie për të përmbushur objektivat e tij për sigurinë kombëtare.

Shërbimi informativ nuk ka fuqi imponimi të ligjit. Është thjesht mbledhës informacioni, sepse të atillë e ka përcaktuar ligjvënësi.

Edi Rama u kërkon që çdo bashkëpunim me shërbimet partnere, të kalojë direkt nga Edi Rama”, tha ai.

Berisha tha më tej:  “Ju mund të merrni deklaratat e mia për Bendon, asnjë konsideratë të veçantë nuk kam shprehur, përkundrazi kam shprehur të gjithë rezervat e mia. Por a mund të pranohet një akt banditesk, një akt banditesk. Nëse Edi Rama e konsideron atë spiun të amerikanëve, francezëve apo gjermanëve, ai duhet të bëjë transparencë para shqiptarëve, sepse për aq kohë sa Helidon Bendo ka kryer atë detyrë, ka drejtuar një institucion kushtetues. Është një emërtesë kushtetuese. Emërohet nga kreu i shtetit dhe nuk ka askush të drejtë, pa pëlqimin e kreut të shtetit, me shkrim, as ta pezullojë, as ta shkarkojë.

Këto janë akte banditeske, akte të turpshme. Dënoj me ashpërsinë më të madhe”. Rreth denoncimit në fjalë nuk ka asnjë reagim nga Presidenca sa kohë që firmën për emërim apo shkarkim e jep vetëm Presidenti i cili aktualisht ndodhet për një vizitë në Katar

Berisha foli edhe për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK duke e cilësuar procesin tragjikomedi  sa kohe që sipas tij Rama ka dhënë urdhër të zgjidhet Edvin Kondili.  

“Ky është asgjësimi si kurrë më parë i sistemit të drejtësisë. Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur.

Urdhëroni tani, ish-drejtori i SHISH që e ka emëruar vetë, ia mbyll derën si bandit. Urdhëro shteti i tij.

Tani do organin e akuzës, o Kondili o nuk ka, thotë. Duke diskredituar totalisht këtë institucion, duke e asgjësuar këtë institucion”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë