Gazeta Si – Këtë të premte është raportuar për sulme të reja ruse me raketa në gjithë Ukrainën, pasi Kievi ka thënë se Moska mund ta nisë një ofensivë të re në fillim të vitit të ardhshëm.
Autoritetet ukrainase kanë raportuar për shpërthime në të paktën tri qytete më 16 dhjetor, duke thënë se Rusia ka nisur sulme të mëdha me raketa në objektet energjetike dhe infrastrukturën kyçe.
Autoritetet lokale kanë raportuar në rrjetet sociale se shpërthime ka pasur në Kiev, në pjesën jugore të Kryviy Rih në rajonin Dnjipropetrovsk dhe në pjesën verilindore të Harkivit.
Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, ka thënë në Telegram se qyteti ka mbetur pa energji elektrike pasi, sipas autoriteteve, tri raketa kanë goditur pika kyçe të infrastrukturës.
Për ndërprerje të energjisë është raportuar edhe në rajonin Sumoj në lindje. Në Kiev autoritetet kanë thënë se “mbrojtja ajrore në rajon është në funksion”.
Sulmet që kanë objektiv infrastrukturën energjetike janë bërë pjesë e strategjisë së re ruse për t’i detyruar ukrainasit të nënshtrohen gjatë dimrit me ngrica, pas disa humbjeve të mëdha të forcave ruse në fushëbetejë në muajt e fundit.
Ukraina e ka akuzuar Rusinë për planifikim të një ofensive të madhe në fillim të vitit të ardhshëm, pavarësisht zmbrapsjeve ushtarake.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe zyrtarë tjerë të lartë, kanë paralajmëruar Kievin dhe aleatët që të kenë kujdes nga vetëkënaqësia.
Sipas gjeneralëve ushtarakë, ofensiva pritet të nisë në rajonin e Donbasit, në jug, e madje edhe rreth Kievit.
“Rusët janë duke përgatitur për angazhim të rreth 200.000 trupave shtesë. Nuk kam dyshim që do të bëjnë një tentim të ri në Kiev”, ka thënë gjenerali Valery Zaluzhny.
Ai ka thënë se është 100 për qind i sigurt se Rusia është duke bërë përgatitur dhe se “detyra e rëndësishme strategjike” e Ukrainës është që të krijojë rezerva dhe të përgatitet për ofensivën e re që “mund të nisë në shkurt, në mars, apo në skenarin më të keq në janar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje