Bota

Skandal i deputetëve britanikë, turizëm seksual në misione jashtë vendit

Gazeta Si – Quhet “nëna e të gjithë parlamenteve”, por Westminster (parlamenti britanik), po shfaqet gjithnjë e më shumë si nëna e të gjitha skandaleve: bullizmi, abuzimi seksual dhe incidente të tjera kanë dalë në sipërfaqe në masë në vitet e fundit.

Por tani, vjen një hetim nga “Politico”, faqja e internetit, për të zbuluar ”bëmat” e deputetëve britanikë edhe gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, të përdorura si justifikim për turizmin erotik ose thjesht për t’u përfshirë në budallallëqe kolosale. Episodet e raportuara janë të shumta dhe të çuditshme.

Gjatë një vizite në Azinë Juglindore, një deputet konservator, tani anëtar i Dhomës së Lordëve, kërkoi udhëzime për në shtëpinë publike më të afërt; një tjetër ish-ministër konservator, zgjati qëndrimet e tij për të “ndjekur interesin e tij për gratë vendase”, i thanë “Politico” disa kolegë të tij: “Ai tregoi interes për vajzat e reja të bukura”; një deputet konservator, që udhëtonte në Kinë, kishte siguruar shërbimet e një prostitute, të cilën kolegët e quanin “buqeta e dërguar në dhomën tuaj”.

Por ka edhe disa për opozitën: një eksponent i shquar laburist shfaqi një dobësi të veçantë për vajzat ruse gjatë vizitave të tij, ndërsa deputetë të të gjitha ngjyrave, merrnin pjesë në ahengje të organizuara nga diplomatë vendas ku djem dhe vajza të reja “siguroheshin” për qëllime seksuale.

E gjatë një udhëtimi në një shtet europian, tre deputetë nuk u paraqitën në mëngjesin e organizuar nga ambasada britanike, pasi ishin shumë të dehur nga një natë më parë.

Objektivi i “Politico”-s, u fokusua veçanërisht në aktivitetet e “grupeve parlamentare ndërpartiake” në Westminster, të cilat janë shoqata dypartiake të deputetëve që fokusohen në një vend të huaj ose një grup vendesh: padyshim një moment qendror i punës së tyre janë udhëtimet në vendet në fjalë, të cilat megjithatë në shumë raste shndërrohen vetëm në një pretekst për udhëtime çlodhëse, deri në atë pikë sa të tregojnë paraprakisht markat e preferuara të shampanjës.

Një eurodeputet theksoi se ato grupe zakonisht kontrollohen nga deputetë meshkuj, të cilët bien dakord ndërmjet tyre të organizojnë udhëtime në vende të këndshme.

Tashmë, komisioni parlamentar për standardet e sjelljes kishte paralajmëruar se aktivitetet e grupeve ndërpartiake rrezikonin të “përfaqësonin skandalin tjetër të madh” dhe kishte rekomanduar një mekanizëm monitorues, por asgjë nuk ishte bërë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë