Bota

Ukrainë, Kharkivi mbetet pa energji elektrike pas sulmeve ruse

Gazeta Si – Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, Kharkivi, ka mbetur prej disa orësh pa energji elektrike, si pasojë e sulmeve të reja ajrore ruse, të cilat kanë shënjestruar stacionet e energjisë.

Zyrtarët lokalë kanë thënë se nëntë objekte të energjisë janë goditur nga sulmet e së premtes, që kanë përfshirë 76 raketa dhe dronë.

Kryetari i Kharkivit, Oleg Synegubov, ka thënë se qyteti është përballur me dëm “kolosal”. Në mbrëmjen e së premtes është raportuar se 55 për qind e banorëve nuk kanë pasur energji.

Operatori ukrainas për energji, “Ukrenergo”, ka paralajmëruar se shkalla e dëmeve është e madhe dhe se riparimet mund të marrin më shumë kohë sesa zakonisht.

Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po e përdor dimrin si “armë lufte”, duke dëmtuar objektet kyçe, teksa temperaturat në këtë shtet veçse janë zero gradë Celsius.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë