Gazeta Si – Rrugët e Pekinit janë bosh, bizneset dhe shkollat të mbyllura: qytetarët janë në shtëpi ose sepse janë infektuar me Covid ose sepse kujdesen për të afërmit e infektuar.
Sipas vlerësimeve jozyrtare, 40% e 22 milionë banorëve të kryeqytetit kinez, janë infektuar me variantin “Omicron” të koronavirusit.
Pekini për momentin duket të jetë qyteti më i prekur nga ky shpërthim infeksionesh, por sinjalet e alarmit kanë filluar të mbërrijnë nga metropolet e tjera.
Shangai ka urdhëruar mbylljen e shkollave dhe mësimet në distancë. Fabrikat në shumë provinca të Kinës kanë mungesë të personelit, aq sa në megalopolin e Chongqing, punëtorëve u është thënë të raportojnë në punë edhe nëse janë pozitivë (për sa kohë që janë asimptomatikë ose me simptoma të lehta).
Qendra për Kontrollin Epidemik, pret tre valë infeksionesh që pritet të zgjasin deri në mars.
Ky aktual duhet të arrijë kulmin nga mesi i janarit, por më pas do të nisë një valë e dytë në qytetet dhe fshatrat bujqësore, e shkaktuar nga kthimi në shtëpi i punëtorëve të punësuar në industritë e qytetit, të cilët pas pak ditësh do të nisen për festimet e Vitit të Ri Hënor (që këtë vit bie më 22 janar); dhe përfundimisht do të shkaktohet një valë e re infeksionesh e shkaktuar nga kthimi i emigrantëve në qytetet e mëdha. Tre muaj të tmerrshëm për sistemin shëndetësor kinez.
Miliona infeksione, tani nuk zbulohen më, sepse autoritetet thonë se është e pamundur.
Dhe vetëm këtë të hënë, autoritetet e Pekinit regjistruan dy vdekjet e para që nga 7 dhjetori, kur sistemi “Zero Covid” u çmontua (por infeksionet kishin vazhduar me javë të tëra).
Nga spitalet dhe krematoriumet po mbërrijnë dëshmi që bien ndesh me të dhënat zyrtare, në rrjetet sociale lexohen komente mosbesuese: “Për çfarë janë këto statistika të montuara?”; “Pse po tallen me ne?”.
Në total, në këto tre vite të pandemisë, Kina ka deklaruar vetëm 5.237 vdekje, por epidemiologët në mbarë botën janë dyshues.
Komunikimi i një numri të papërfillshëm vdekjesh i shërben narrativës së Partisë, e cila pretendon se ka hequr dorë nga kufizimet e “Zero Covid”, sepse “patogjeniteti i variantit “Omicron” është ulur gjeometrikisht në krahasim me variantet e mëparshme”.
Një mënyrë për të mos pranuar se tre vjet izolim, karantina në spitalet e të sëmurëve dhe një ekonomi e bllokuar, ishin një gabim i madh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje