Gazeta Si – Komisioni Parlamentar që prej një viti e gjysmë po heton sulmin në Kapitol Hill më 6 janar 2021, ka votuar unanimisht pro referimit penal të Donald Trump në Departamentin e Drejtësisë.
Për Komisionin Hetimor, ish-presidenti republikan duhet të paditet për të paktën katër akuza.
Referimi minon garën e re presidenciale të Donald Trump, duke e portretizuar atë si kreun të një operacioni të paramenduar me shpalljen e rreme të fitores, mbi mashtrimin masiv dhe nxitjen e një marshimi subversiv në Kapitol.
Përfaqësuesi demokrat Jamie Raskin konfirmoi se Komisioni i Kongresit Amerikan që po heton sulmin, rekomandon katër akuza penale kundër Donald Trump.
Akuzat që rëndojnë ndaj tij, janë pengim të një procesi zyrtar, komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, komplot për të bërë një deklaratë të rreme dhe kryengritje.
Siç shkruan BBC, këto nuk janë akuza penale zyrtare por rekomandim, pasi i takon Departamentit të Drejtësisë të akuzojë individët. Është po ky institucion që do të vendosë ta marrë për bazë ose jo këtë raport.
“I yni nuk është një sistem drejtësie ku ushtarët këmbësorë shkojnë në burg dhe drejtuesit e grupit ia hedhin paq”, tha Raskin.
Në sulmin në Kapitol Hill, Donald Trump ka treguar se është “i papërshtatshëm për asnjë detyrë publike”.
Kështu deklaroi Liz Cheney, nënkryetare e Komisionit Parlamentar për sulmin ndaj Kongresit Amerikan më 6 janar 2021, duke hapur seancën e fundit publike.
“Ai theu besimin” në sistemin zgjedhor, kishte thënë pak më parë Bennie Thompson, President i Komisionit.
“Ai e dinte se i humbi zgjedhjet e vitit 2020, por zgjodhi të qëndrojë në detyrë përmes një skeme të përpunuar për të përmbysur rezultatet. Asnjëherë nuk kemi pasur një president të lëshojë një përpjekje të dhunshme për të bllokuar transferimin e pushtetit”.
Sulmi në 6 jaanar nisi menjëherë, pasi ish-presidenti mbajti një fjalim pranë Kapitolit dhe pretendoi se Joe Biden kishte vjedhur zgjedhjet e vitit 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje