Greqia ka ecur gjithnjë me parimin e 12 miljeve të Detit Territorial si pika ku fillon matja e Shelfit Kontinental mes dy vendeve. Zyrtarët e lartë grek e kanë trumbetuar edhe pas vendimit te gjykatës Kushtetuese në Tiranë për Detin, ndërsa kryeministri Rama dhe palët negociatore më pas e kanë mohuar këtë ndarje.
Pala shqiptare pas 2013-ës ka pretenduar se mes Shqipërisë dhe Greqisë parimi i 12 miljeve mund të aplikohet vetëm në rastet kur Deti Territorial i një shteti nuk mbivendoset me Detin Territorial të shtetit fqinj. Që do të thotë se kjo gjerësi aplikohet vetëm në hapësirat detare ku distancat midis dy shteteve janë mbi 24 milje detare.
Këshilltari i ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, Glevi Dervishi sqaronte kohë më parë në një postim të tij në Facebook se distanca nga brigjet midis Shqipërisë dhe Greqia është më pak se 24 milje në të gjithë gjatësinë e Detit Territorial mes tyre, madje në Kanalin e Korfuzit ajo varion nga 1 deri në 6 milje detare.
Në këto kushte, sipas tij, gjerësia prej 12 miljesh e Detit Territorial të dy vendeve nuk gjen zbatim për Detin Territorial, pasi Konventa thotë që ndarja bëhet sipas vijës së mesit me distanca të barabarta nga bregu, por që do të modifikohet për rrethana të veçanta (vijë e drejtë bazë, gji natyror, tituj historik).
Mënyra e zgjerimit të detit territorial ka gjetur vend edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për paktin për Detin në vitin 2010
Togfjalëshi “12 milje” përmendet 6 herë në vendimin e Gjykatës dhe në të gjitha rastet merret e mirëqënë e drejta e një shteti për t’u zgjeruar deri në 12 milje, por për sa kohë që hapësira detare ia lejon këtë gjë.
“Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, shumë shtete bregdetare deklaruan në mënyrë të njëanshme jo vetëm zgjerimin e ujrave territoriale nga 3 deri në 12 milje detare (në disa raste me pak ose më shumë se kaq) , por edhe shtrirjen e juridiksionit kombëtar mbi shelfin kontinental dhe hapësirën ujore respektive deri në 200 milje detare”, thuhet në vendim.
Në nenin 73 të vendimit të Gjykatës sqarohet koncepti i Detit Territorial dhe duke iu referuar nenit 2 te Konventës për Detin thuhet se ky mund të shkojë deri në 12 milje.
“Gjerësia e Detit Territorial mund të shkojë deri në 12 milje detare, nga vija bazë që përcaktohet në përputhje me dispozitat e Konventës (neni 3 i Konventës)”.
Në nenin 78 të vendimit, sqarohet koncepti i Zonës së Puqur dhe kompetencat që ka shteti mbi këtë vijë. Edhe kjo thuhet se mund te shtrihet deri ne 24 milje nga vija bazë, pra 12 milje pas Detit territorial.
“Zona e Puqur (ose në Vazhdim) është hapësira detare në vijim të Detit Territorial, në të cilën shteti bregdetar ka disa kompetenca të kufizuara, kryesisht të natyrës administrative. Gjerësia e Zonës së Puqur mund të shkojë deri në 24 milje nga vija bazë ku fillon gjerësia e Detit Territorial (shih nenin 33/2 te Konventës). Pra, Zona e Puqur mund të shtrihet deri në 12 milje të tjera pas mbarimit të kufirit të jashtëm të Detit Territorial”
Në nenin 80 Gjykata thekson edhe një herë se Deti Territorial që shtrihet deri në 12 milje, konsiderohet pjesë e mirëfilltë e territorit shtetëror.
“Gjykata rithekson se në këndvështrimin kushtetues, konsiderohen si pjesë të mirëfillta të territorit shtetëror edhe Ujrat e Brendshme dhe Deti Territorial deri në 12 milje detare nga vija bazë, hapësira ajrore mbi to si dhe shtrati i detit dhe nëntoka e tyre. Në këto hapësira zbatohet padyshim legjislacioni i brendshëm i shtetit bregdetar”
Në nenin 82.2 Gjykata Kushtetuese e merr të mirëqenë zgjerimin e një shteti deri në 12 milje, por saktëson se në 90% të rasteve kur flitet për ndarjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë brigjet janë më pranë njëri-tjetrit për të siguruar këtë hapësirë për secilin nga dy vendet.
“Marrëveshja objekt shqyrtimi mban titullin “Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në fakt, siç rezulton edhe nga hartat respektive të paraqitura, në rastin konkret, të paktën përsa i përket Republikës së Shqipërisë, rreth 90% e hapësirave detare të ndara me Republikën e Greqisë janë Ujra të Brendshme dhe Det Territorial. Konkretisht, nga 150 rrathet që shërbejnë për delimitimin e kufirit detar nga pjesa fundore e Kanalit të Korfuzit deri në veri të tij, 140 prej tyre kanë rreze më të vogël se 12 milje detare. Pra, marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujrat e Brendshme dhe Detin Territorial.”
Neni i fundit që trajton çështjen e zgjerimit me 12 milje është ai me nr.86 në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Aty jepet një propozim, që nëse dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje, atëherë këtë mund ta bëjë Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit, por si përfundim saktësohet edhe një herë e drejta e një shteti për t’u zgjeruar me 12 milje.
“Në rastin e Ujrave të Brendshme dhe Detit Territorial përsërisim se sovraniteti i shtetit bregdetar është i plotë dhe shtrihet edhe mbi hapësirën ajrore si dhe shtratin e detit dhe nëntokën e tij, deri në 12 milje detare”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje