Kryediplomati grek Nikos Dendias ka qenë i prerë në kërkesat e tij në Tiranë për zgjidhjen e çështjes së paktit detar.
Sipas tij përplasja mes Tiranës dhe Athinës zyrtare duhet të zgjidhet në gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Tirana zyrtare ka shprehur ndërkohë vullnetin për të gjetur kompromisin për zgjidhjen e kësaj çështje.
Por mediat greke raportojnë për një tjetër shqetësim që Athina zyrtare ka dhe bëhet fjalë pikërisht për blerjen e tre dronëve ushtarakë “Bayraktar” nga Turqia.
Marrëveshja e nënshkruar me qeverinë turke, sipas “Prothema”, vjen pikërisht para vizitës së kryeministrit grek Mitsotaqis në zonat e minoritetit në Shqipëri, dhe kur kryeministri Edi Rama e falëndëroi publikisht për tre dronët presidentin turk Rexhep Erdogan.
“Nikos Dendias: Gozhda për depërtimin e Turqisë në Shqipëri – “Kjo bie ndesh me acquis evropiane”.
Ky është titulli i medias greke, e cila thekson se me rastin e gatishmërisë së Greqisë për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Nikos Dendias tha se “është një rrugë njëkahëshe kur janë shfaqur forcat revizioniste që duan që ne të kthehemi në kohë dhe perceptime të tjera dhe duan të ndikojnë në Ballkanin Perëndimor jo me qëllimin e bashkëpunimit por për të krijuar zona influence. Prandaj, e ritheksoj për të tretën herë se perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor është një rrugë njëkahëshe”.
Kryediplomati grek, pas takimit me ministren Olta Xhaçka, ka pasur një drekë pune me kryeministrin Edi Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare e ka organizuar këtë takim informal në zyrën e Kryeministrisë.
Paralajmërimi për t’u shkëputur nga Turqia, Dendias e dha për mediat greke edhe pas drekës me Ramën. “Shqipëria ka bërë një zgjedhje fondamentale, që të jetë anëtare e BE-së. Ne si Greqi besojmë se vendi i takon atje. Po kjo nënkupton një sërë kriteresh, të cilat Shqipëria duhet të vendosë, për t’i shërbyer narrativës së saj kryesore”, shprehet kryediplomati me anë të një video të postuar në rrjetet sociale, pas drekës me Ramës.
Dendias më pas ka vizituar dy shkollat greke, ku në njërën prej tyre u prit nga vetë kryepeshkopi Anastas Janullatos.
Greqia dhe Turqia janë në konflikt prej vitesh sa i përket çështjes së ndarjes së detit Egje.
Pikërisht për këtë arsye Athina zyrtare po ndërhyn edhe në Ballkan për të prerë atë që e cilëson si influencë turke, duke ndërmarrë mision për të “këshilluar” vendet që aspirojnë për t’u bërë anëtare të Unionit Evropian që lënë mënjanë marrëveshjet bilaterale me Turqinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje