Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se mazhoranca nuk do ta votojë Ledio Brahon si kandidat për Avokatin e Popullit.
Gjatë seancës parlamentare, Rama tha se nuk mund të zgjidhet avokati i PD-së në një post të rëndësishëm si ai i Avokatit të popullit. Kreu i qeverisë ka ironizuar Ledio Brahon, duke thënë se ai ka humbur çdo seancë gjyqësore ndaj mazhorancës, duke mbrojtur Partinë Demokratike.
“Përsa i përket avokatit të PD, mbajeni se do ju duhet për proceset e vulave.
Por nuk mund ta sillni këtu ta votojmë ne. Procesi kërkon bonsens. Ne kemi marrë përsipër propozimin për avokatin e popullit për të shkuarën. Nuk kemi sjellë asnjë avokat të PS-së. Nuk ka lënë gjyq pa humbur me ne. Nuk mbeti asnjë njeri përveç avokatit të vulës. Kjo nuk ka shans fare. Nuk ka asnjë përpjekje për të ngatërruar ndonjë votim. Nuk votojmë asnjë kandidat të atyre që luftojnë për vulë, dhe atë të vulëhumburit. Votimi tjetër është votimi i lirë i secilit. Kështu që luftën me mafien vazhdojeni në rrugët e fantazive tuaja. Pse bërtet tani?
S’ke çfarë thua fare, sepse po ta përsëris. Se kemi kurrë ne problem t’ju themi se çfarë duam të bëjmë. Kurrë. Por në këtë rast kjo është një fantazi. Kjo është offshori që s’ka prova. Për çfarë do ju japim llogari ne se kë duam të votojmë. Po ju them edhe njëherë tjetër. E mora fjalën për hir të së vërtetës. Nuk e kemi problem”, tha Rama duke iu referuar emrit të vetëm që depozitoi grupi parlamentar i PD-së, Ledio Braho me vetëm 13 firma deputetësh të grupit “Alibeaj” por që nuk është firmosur nga ky i fundit. Ky është emri i vetëm që është dorëzuar zyrtarisht në emër të PD-së ndërsa Partia e Lirisë ka depozituar emrin e Bledar Dervishajt, ish-këshilltar i Presidentit. Emri i Ledio Brahos jo vetëm që nuk ka gjetur mbështetje nga PS-ja por sa duket as nga vete grupi i PD-së sa kohe që emri i tij nuk është firmosur nga deputetët e Berishës por as edhe Enkelejd Alibeaj, por nga deputetë të tjerë si Gazment Bardhi e Jorida Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje