Politike

Drafti për dekoratat, Rama ironizon Metën: Dekoroi Ismail Qemalin, pa ëndërr dhe iu duk vetja si Vojo Kushi

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vetë nismën e qeverisë për projektligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” para Parlamentit. Kreu i mazhorancës gjatë fjalës së tij u shpreh se po realizonte një nismë që duhej rregulluar 75 vite më parë, e ndërsa nuk i kurseu thumbimet me dhënien e dekoratave të dhëna ndër vite nga presidentët shqiptarë. E sigurisht natyrshëm shigjeta shkuan në adresë të ish-presidentit Ilir Meta.

“Dekorimi pas vdekjes është tipik “alla shqiptare”, i “alla demokracisë”. Një hamletologji e paimagjinueshme, një tangerllëk provincial i paparë, i pandeshur në historinë e planetit.  Ah, një ushtar të rënë në luftë në atë moment, në kohë që jetojmë së bashku, patjetër.  Një njeri që vetmohohet për të mbrojtur të tjerët në një akt heroizmi, por sot, patjetër. Por një njeri që ka vdekur para 100 vitesh. Domethënë çohet njëri që sheh në ëndërr të behet si Vojo Kushi dhe dekoron Vojo Kushin, duke shfrytëzuar postin e presidentit të Republikës. I jep Vojos një dekoratë dhe i duket vetja sikur barazohet me Vojon dhe i jep mesazh të tjerët që ‘shiko, unë si shok i Vojos një ditë do ta bëj si Vojua”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Po Rama nuk u ndal me keq duke shtuar Meta dha dekorata edhe për Ismail Qemalin themeluesin e shtetit shqiptar.

“Nuk ka bërë vaki, nuk i ka ndodhur askujt gjëma që na ndodhi ne, që arritëm të dekorojmë themeluesin e shtetit shqiptar. Ne kemi arritur, ose më saktë presidenti i mëparshëm i Republikës arriti të dekorojë Ismail Qemalin. Është dekoruar Ismail Qemali. Ju e dëgjuat këtu parafolësin që tha: Kemi ngritur grup pune, – tha -dhe i kemi analizuar të gjitha heronjtë e luftës së Vlorës”, deklaroi Rama.

Ai bëri të ditur se janë 500 dekorata nga një president dhe se ligji i ri “e ndan nga komunizmi jugosllav, komunizmi sovjetik, komunizmi kinez i gjithë atyre viteve që erdhën së bashku me furinë e dekoratave, e medaljeve, e teneqeve dhe e fut në sistem si të gjitha vendet e tjera”.

Gjatë fjalës së tij, Rama i bëri thirrje opozitës që ta miratojë këtë nismë të qeverisë.

“Thashë jemi me mbi 75 vjet vonesë, por për të gjitha arsyet e mos arsyes së politikës shqiptare dhe të këtij parlamenti e bëjmë këtë gjë vetëm sot. Shpresoj që kjo gjë të votohet nga të gjithë dhe ju them të gjithë atyre dekomunistizuesve që janë këtu në sallë që nëse nuk e votojnë këtë thjeshtë japin një provë tjetër që me komunizmin kanë vetëm një transferim të inatit tek kundërshtarët politik dhe nuk kanë asnjë lloj lufte strukturale, konceptuale dhe çrrënjosëse aty ku realisht duhet që një parlament dhe forcat politike të japin kontributin e tyre për të gjithë skeletin e organizimit dhe të organizimit të shtetit”, theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë