Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama kërkon të pushtojë edhe institucionin e Avokatit të Popullit, si të vetmin institucion te pavarur.
Kryetari i PD-së theksoi se kryeministri përdori të njëjtën skemë si me zgjedhjen e Presidentit. Sipas tij, ky është një tjetër akt që tregon se monizmi përmbyset vetëm me revolucion.
“Parlamenti e mbylli vitin në mënyrën më moniste. Të gjitha pushtet, përveç kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, tani i shkojnë qeverisë.
Të gjithë kandidaturat që ishin në listë për t’u votuar, gjykoj se kjo ishte lista më dinjitoze që është paraqitur ndonjëherë, aty kishte përfaqësues të të përndjekurve politikë, si Besim Ndregjoni, i cili gëzonte mbështetje të gjerë të shtresës së tij dhe një kandidaturë e përkushtuar ditë dhe natë për të drejtat e njeriut ishte dhe veprimtari i shoqërisë civile, Altin Goxhaj. Ishin edhe juristë të njohur, të rinj, përfaqëues të gjeneratës së re si Dorian Gjokmarkaj dhe Ilir Dervishi.
Pra, ishin një numër i konsiderueshëm dhe të gjithë ata u hodhën poshtë vetëm pse Edi Rama nuk pranonte asnjërin prej tyre, përveç atij që donte vetë. Ajo që patë në këtë proces, ishte, do të thosha procesi më i turpshëm, me të cilin Edi Rama haptas kërkoi të pushtojë të vetmin institucion që ai nuk e kontrollon.
Në traditë, të këtij vendi dhe vendeve të tjera, është respektuar parimi i Avokatit të Popullit të emëruar nga opozita”, tha Berisha.
Ai nuk la pa komentuar SPAK-un që e e quan prej kohësh SKAP.
“Sot ka prova, ka të dhëna, që implikojnë direkt SKAP-in e partisë si institucion që ushqehet në grazhdin e djegësave të qeverisë.
Nuk ka gjë më absurde, më të njëanshme, më komprometuese, se kryetarin e Bashkisë së Fierit, përgjegjës direkt për të gjithë akuzat që janë bërë për inceneratorin e Fierit, e përjashtojnë nga akuzat, dhe marrin nën akuza vartësit e tij.
Kjo dëshmon se SKAP-i i partisë po zhgërryhet në grazhdin e qindra milionëve të inceneratorëve”, theksoi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje