Politike

Gjiknuri: Fitojmë 40 bashki, Llatja dhe Beci kandidatë potenciale për Elbasanin dhe Shkodrën  

Në bilancin e fundvitit të PS-së, Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri tha se  Partia Socialiste do të fitojë  jo më pak se 40 bashki në zgjedhjet e ardhshme lokale.

 “Nuk zbresim nën 40 bashki, kjo nuk diskutohet. Shifra mund të jetë edhe më e lartë por varet nga dinamika dhe organizimi ynë. Duke parë qeverisjen dhe trashëgiminë lektorale dhe alternativën përballë dalim natyrshëm në këtë përfundim. Edhe ju edhe pse nuk doni ta pranoni këto janë llogaritë elektorale kur nuk ke asnjë alternativë tjetër përballë. Alternativa e besueshme mund të kthente kahje, por këtu kemi të njëjtët njerëz që nuk kanë asnjë bagazh pozitiv të qeverisjes së tyre” tha Gjiknuri. I pyetur nga media, Gjiknuri thuajse zyrtarizoi dy emra kandidatësh për zgjehdjet e ardhshme lokale, edhe pse vete ai shtoi se po punohet në këtë drejtim. Ai zbuloi pak a shumë emrat e kandidatëve për Elbasanin dhe Shkodrën, përkatësisht Gledian Llatja dhe Petrit Beci.   

“Unë kam bërë konsultimet e nevojshme. Llatja ka bërë një punë shumë të mirë dhe ka pëlqyeshmëri nga qytetarët dhe sondazhet e kanë treguar këtë gjë.

Përtej fryrjes së garës së Elbasanit dhe Durrësit, mendoj se më shumë është një pritshmëri e ngritur brenda tyre sesa lidhet me realitetin. Mendoj se Elbasani do e fitojmë sepse Llatja gëzon respekt dhe përfaqëson një gjë të re, ndërsa Boçi ka mbi 20 vite në politikë dhe në Elbasan ka humbur zgjedhjet e vitit 2007 kur PD ishte në qeveri. Mua më pëlqejnë garat e forta. Më shumë se politika e luftës së Tiranës, qytetarëve të Elbasanit u intereson qeverisja e qytetit jo bunkerizimi nga PD” shtoi Gjiknuri.

Sa i përket Shkodrës, Gjiknuri nënvizoi: “Kandidat natyrshëm që mund të ketë shumë deputetë që do të donin që të konkurronin si kryetar bashkie, Beneti është një kandidaturë e mirë do i bënte nder Shkodrës. Nuk po konfirmoj që do të jetë Beneti pasi do ti nënshtrohen një procesi konsultimi brenda partisë dhe përtej partisë ai do t’i bënte nder Shkodrës dhe mendoj se është një kandidat shumë i përshtatshëm. Për të mirën e shkodranëve do të ishte mirë të ishte kandidat” .

Gjiknuri ishte kundër primareve, procesit të ndjekur nga PD.  

“PS do të miratojë një udhëzim, qoftë për kandidat apo kryetar bashkie. Parlamentet vendore kanë shumë rëndësi. Këshillat vendore humbën rëndësinë e tyre. Ato janë shumë të rëndësishme. Ne do të vazhdojmë konsultimin e partisë dhe do të shkojmë edhe jashtë partisë. Për në është e rëndësishme që kandidatët të jenë të pëlqyer nga qytetarët dhe jo vetëm nga ai barku i vogël partiak. PS ka zgjedhur këtë metodologji. Kemi pasur primare në 2007, por përkundrazi ne i humbëm disa komuna. Nuk ka një strukturë të pavarur që të menaxhojnë votën brenda partisë. Shiten si demokratike por nuk prodhojnë asnjë proces kualitativ dhe as demokratike, është njësoj si të krahashosh zgjedhjet e ’92 me’96. PS do i qëndrojë strikt, pëlqyeshmëria e partisë, e publikut dhe garancitë që jep kandidati” u shpreh Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri u ndal edhe tek seanca maratonë e të enjtes. Ai tha se mazhoranca nuk mund të votonte propozimet e opozitës për Avokatin e Popullit pasi konkretisht kandidati Ledio Braho ishte një person tepër i politizuar.

“Mendoj se është spekulim që ka pasur një Pazar apo këmbim të votave për kandidatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Ardian Dvoranit dhe Ledio Brahos. Shumica e votave të realizuara me vullnet të lirë nga deputetët e mazhorancës treguan se nuk ka pasur asnjë tendencë për të bërë vota të një shumice të caktuar. Kjo është përgjigja e vërtetë dhe këtë e konfirmojnë faktet.

Avokati i Popullit presupozohet figurë konsensuale dhe në të kaluarën përpjekjet kanë qenë që të gjendet një figurë e pëlqyer nga opozita, por të mos kthehet më pas në zyrë partie. Nga diskutimet, u përfundua se emri në fjalë, është shumë i politizuar dhe është zgjatim i PD në gjithë aktivitetin e zyrës së Avokatit të Popullit.

Unë mendoj se mazhoranca duhet të eksplorojë për të gjetur kandidaturë që do ketë pëlqimin e opozitës shqiptare dhe kjo do të thotë se mund të ketë diskutim të dytë. Duhet të kemi një emër të përshtatshëm, emra që rezonojnë përtej partive politike” u shpreh Gjiknuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë