Politike

Telendisja e grupit të PD me Avokatin e Popullit dhe karremi i Ramës me emrin e Dvoranit  

Vetëm dy muaj nga votimi i fundit i të enjtes në mesnatë në Kuvend, Enkelejd Alibeaj njoftoi përmes  një konference se nga grupi i PD-së ishin propozuar dy kandidatura për Avokatin e Popullit, Ledio Braho dhe Dorian Gjomarkaj.

Një muaj më pas edhe homologu i tij socialist, Taulant Balla, do të shprehej se dy kandidaturat e propozuara nga PD ishin të pranueshme.

Ishte koha kur mes tij dhe Alibeajt kishte takime informale që pak kuptohej se për çfarë diskutonin sa kohë që nuk flisnin për rezultate.

Pak ditë para votimit të Avokatit të Popullit, Sali Berisha do të deklaronte publikisht për një marrëveshje të prishur mes grupit Alibeaj dhe PS-së për emrin e Ardian Dvoranit që sipas tij Rama e donte në Kushtetuese.

Grupi i Alibeajt nxitoi të sqaronte për mediat se Dvoranin nuk e pranonin në Kushtetuese.

Ardian Dvorani njeriu i mbështetur nga amerikanët si kampion i anti-korrupsionit ishte karta më e mirë që Edi Rama po luante të enjten për arsyet e veta politike. Të paktën kështu rezultoi.

Pas 24 orësh maratone të punimeve të fundit për këtë sesion parlamentar, vetëm të enjten pasdite Enkelejd Alibeaj njoftoi se në tavolinën e tij kishte ardhur një propozim i beftë nga mazhoranca që propozonte votim të fshehte për kandidaturën e anëtarit të Kushtetueses ku ishin në garë tre, ndër ta edhe Ardian Dvorani.

Alibeaj kërkoi më shumë informacion mbi këtë propozim ndërsa Nikolla nxitoi të shpjegonte se propozimi do të hidhej në votim. Por ndryshe nga Alibeaj, Gazment Bardhi nuk e priti me qetësi.

Ai deklaroi se Rama po kërkonte të peshkonte vota edhe djathtas duke futur votimin e fshehtë me qëllim që të arrihej kuorumi 84 votash aq sa i duheshin Dvoranit për të shkuar në Kushtetuese si e vetmja mënyrë (duke qenë se ishte i renditur i dyti në sistemin e pikëzimit nga KED).

Paralelisht, 13 deputetë të PD firmosën për kandidaturën e Ledio Brahos të cilin nuk e firmosi Enkelejd Alibeaj por thuajse i gjithë grupi i tij me në krye Gazment Bardhin.

Kandidatura tjetër Dorian Gjomarkaj që pëlqehej nga Alibeaj nuk u zyrtarizua për mungesë firmash. Ndryshe nga sa kishte premtuar Taulant Balla se kandidatura për Avokatin e Popullit ishte e pranueshme, Edi Rama tha në seancë se ai nuk mund të votohej nga PS-ja me argumentin se ishte partiak.

Deputetët e Berishës ndërkohë nxorën nga sirtari kandidaturën e Altin Goxhajt ndërsa Partia e Lirisë kandidaturën e Bledar Dervishit, më shumë për diversion politik sesa një realitet sa kohe që emrat nuk shoqëroheshin me firma deputetësh.

Të kompleksuar për rrjedhje votash, deputetët të gjithë anëve të PD-së u larguan.

Qëndruan vetëm tre deputetët e Partisë së Lirisë.

Aty rreth orës 1.00 të mëngjesit të ditës tjetër, në sallë ishin vetëm 76 deputetë. Votimi i fshehtë përmes kutish të ngritura nga administrata e Kuvendit (kur PD ishte larguar) nuk kishte aspak rendësi. Kuorumi me 84 vota për të miratuar kandidaturën e Dvoranit (siç pretendoi PD-ja) nuk kishte asnjë gjasë të ndodhte.

Megjithatë, Rama zbatoi votimin e fshehtë pa zhvillim politik por diversioni po. Sepse Ardian Dvorani mori vetëm 14 vota.

Një flluskë sapuni që Rama e shfrytëzoi mjaft mirë për t’i treguar ndofta  ambasadores amerikane Kim se ai “donte” por deputetët e tij jo sa kohë që votuan jashtë “çdo skeme presioni” përmes një votimi të fshehtë. Karremin e Ramës për Ardian Dvoranin e hëngri vetëm grupi parlamentar i PD-së që nga e enjtja 22 dhjetorit tregoi një tjetër zhvillim të saj se nuk ka më një grup “Berisha” dhe një “Alibeaj” por tre grupe influencash (kësaj here në lojë edhe Bardhi).  

Tani gara mbetet sërish e hapur për Avokatin e Popullit me një grup parlamentar PD-je krejt e zgërlaqur.  

PS sikur pret një kandidaturë tjetër konsensuale, Alibeaj sikur është kryetar i grupit, Bardhi që sikur i bindet dhe deputetët e Berishës pa peshë fjale e vule madje me disa prej tyre të regjistruar si të pavarur në Kuvend.

Ai që i gëzoi gjithë kësaj situate ishte vetëm Edi Rama. Sa duket edhe për shumë kohë…   


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë