Gazeta Si – Franco Frattini, presidenti aktual i Këshillit Shtetëror, ka ndërruar jetë mbrëmjen e të shtunës në moshën 65-vjeçare nga një sëmundje që vuante prej disa kohësh.
Ai ishte parlamentar, anëtar i Forza Italia dhe Popolo della Libertà dhe me Silvio Berlusconin si kryeministër, Frattini ishte ministër i Jashtëm dy herë: fillimisht në vitet 2002-2004 dhe më pas në vitet 2008-2011.
Frattini ishte Zëvendës President i Komisionit Evropian dhe Komisioner për Drejtësi, Siguri dhe Liri në vitet 2004-2008.
“Franco Frattini ishte një shërbëtor i vërtetë i shtetit: në Itali dhe jashtë saj ku u vlerësua nga të gjithë për kompetencën me të cilën kreu rolin e Komisionerit Evropian dhe më pas të Ministrit të Jashtëm. Do të kujtoj gjithmonë aftësinë e tij të madhe për të përballuar problemet komplekse me një buzëqeshje, për t’u ndjerë rehat në çdo rol. Ai do të më mungojë”, shkruan Berlusconi në një mesazh.
Që prej 14 Janarit të kaluar, Frattini ishte president i Këshillit të Shtetit. Ato ditë, emri i tij kishte hyrë edhe në debatin për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës, përpara se forcat politike të konvergjonin për riemërimin e Sergio Mattarellas.
Frattini njihet në Shqipëri si një prej politikanëve italianë më mbështetes për Shqipërinë dhe shqiptarët si drejtues i diplomacisë në vendin fqinj por edhe në postet që ka mbajtur në Bashkimin Evropian. Ai ishte mbështetës i spikatur i liberalizimit të vizave për shqiptarët, ndërsa katër vite më parë ai është nderuar nga Presidenti i atëhershëm Ilir Meta me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ky vlerësim iu dha në mënyrë të veçantë pikërisht për mbështetjen në procesin e lëvizjes pa viza të shqiptarëve në Evropë. Franco Frattini është nderuar po ashtu nga kryebashkiaku Erion Veliaj me titulli qytetar nderi në 2018.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje