Bota

Temperaturat polare në SHBA, shkon në 42 numri i viktimave. Anulohen mijëra fluturime

Gazeta Si – Stuhia e dimrit që goditi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Veriu në Jug, këtë sezon festash ka shkaktuar vdekjen e 42 personave.

Rekordi i arritur i temperaturës është minus 48 gradë. Moti i keq po krijon shqetësime të shumta: për momentin më shumë se 3,300 fluturime janë anuluar dhe 560,000 shtëpi janë pa energji elektrike (të shtunën kishte një milion e gjysmë shtëpi pa energji elektrike dhe 6,000 fluturime të anuluara).

Ndikimi në Buffalo, në shtetin e Nju Jorkut, ku ka pasur shumë ndërprerje, duke paralizuar edhe ndërhyrjet emergjente dhe ku aeroporti do të qëndrojë i mbyllur deri të hënën, është i fortë.

Siç specifikohet nga faqja e internetit NBC, vdekjet ndodhën në Oklahoma, Kentaki, Misuri, Tenesi, Visconsin, Kansas, Nebraska, Ohio, Nju Jork, Kolorado dhe Miçigan.

Është – shpjegon Shërbimi Kombëtar Meteorologjik – “një stuhi pothuajse e paprecedentë që prek 60% të popullsisë së SHBA-së dhe që shtrihej nga Liqenet e Mëdha të Kanadasë, deri në kufirin me Meksikën”.

Shumë njerëz janë bllokuar për shkak të thellësisë së borës dhe qindra mijëra banesa dhe biznese janë pa energji elektrike.

Kompanitë e energjisë elektrike në shumë shtete kanë apeluar për të kursyer energjinë: me të ftohtin, kërkesa në fakt ka shpërthyer dhe rreziku është të mos e plotësojnë atë.

Në Tenesi, ndërprerjet e shkurtra të energjisë elektrike janë vendosur për të reduktuar konsumin.

Temperaturat ekstreme shkaktuan gjithashtu anulimin e më shumë se 10,000 fluturimeve në tre ditë.

Ka shumë shqetësime duke pasur parasysh sezonin e festave në të cilën mijëra njerëz po udhëtojnë për t’u bashkuar me anëtarët e tjerë të familjes.

Sipas meteorologëve, temperaturat do të mbeten shumë të ulëta edhe për dy ditë të tjera, e më pas do të përmirësohen gradualisht gjatë javës.

Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, me origjinë nga Buffalo, tha: “Kjo do të hyjë në histori si stuhia më shkatërruese e Buffalos”.

“Është si të shkosh në një zonë lufte dhe automjetet përgjatë anëve të rrugëve janë tronditëse”, – u tha ajo gazetarëve të dielën në mbrëmje.

Banorët ende përballen me një “situatë shumë të rrezikshme kërcënuese për jetën” dhe kushdo në zonë duhet të qëndrojë brenda, tha ajo.

Dymbëdhjetë vdekje u konfirmuan në qarkun Erie, me disa viktima të gjetura të vdekura në makina ose brigje dëbore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë