Politike

Tabaku çon në Kuvend projektligjin për investimet strategjike: Pas 1 janarit 2023 të mos pranohen

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka dërguar në Kuvend një projektligj ku kërkohet që kërkesat për investitorë strategjikë në vend të mos lejohen më pas datës 1 janar 2023. Çdo projekt që do të paraqitet pas kësaj date të refuzohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të lnvestimeve, propozon deputetja.

Sipas relacionit, ligji fillestar i investimeve strategjike, që parashikonte mbështetje dhe nxitje të investimeve, vendase e të huaja, në sektorët strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit, ”ka rezultuar se ai është përdorur kryesisht si një mekanizëm për t’u dhënë favore dhe përfitime individëve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste. Në çdo rast, mbi këto projekte ka pasur hije dyshimi për korrupsion, favorizim, klientelizëm dhe arbitraritet. Ndërkohë, që shifra në numër projektesh apo vlerë investimesh, të përfituar nga investitorë të huaj mbeten modeste.”

Tabaku shprehet se ky projektligj shënon fundin e një praktike që ka rezultuar mjaft problematike në realitet, ku pasuri të rëndësishme janë marrë në administrim pa garë, transparencë apo konkurrencë.

“Në vlerësimin tonë, ligji aktual paraqet problematika në raport me rregullimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, nenet 71 dhe 74 të së cilës sanksionojnë parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit në të gjitha llojet e kontratave publike. Pikërisht, në momentin që ndodhet Shqipëria, pas hapjes së negociatave, aplikimi i një ligji që krijon problematika në raport me Marrëveshjen kuadër të Shqipërisë me vendet e Komunitetit Europian, do të ishte mesazhi më i gabuar që iu dërgohet shteteve anëtare”, -thuhet në dokument.

Ligji për investitorët strategjik, i miratuar në 2015-n, kishte afatin final deri më 31 dhjetor 2018, por ai u ndryshua disa herë më vonë duke e lënë afatin përfundimtar të kërkesave për subjektet e interesuara deri më 31 dhjetor 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë