Politike

Garë e re për Avokatin e Popullit, Balla: PD mund të propozojë, por jo ta emërojë

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se PS-ja është e hapur të negocioje me një emër të propozuar nga grupi parlamentar i PD-së për Avokatin e Popullit.

Ai tha se në nisje të sesionit të ri parlamentar, Komisioni i Ligjeve do të hapë garën për Avokatin e Popullit, por duke i kujtuar opozitës që ka vetëm të drejtë propozimi dhe jo emërimi.

“Nëse mendon se opozita ka të drejtë të pakufizuar e ka gabim sepse ajo që na duhet ne është një Avokat Populli i të gjithë shqiptarëve dhe unë e them shpesh herë që të jemi kritik për rolin që ka luajtur deri më tani Avokati i Popullit qoftë i propozuar nga PS-ja si në rastin e vitit 2012 (ku një vit më pas ne erdhëm në pushtet). Ai nuk ishte Avokati i Popullit që do kisha dëshiruar të ishte dhe mendoj që opozita këtë të drejtë për të propozuar nuk ia heq askush por avokati nuk mund të jetë zyrë e  caktuar e një partie politike por e respektimit të drejtave të njeriut”, tha Balla për A2CNN.

Edhe pse më herët i ishte dukur kandidaturë e pranueshme, Balla tha se emri i propozuar zyrtarisht nga grupi i PD-së, Ledio Braho nuk mund të pranohej sa kohe që mbron një deputet të PD në seanca gjyqësore duke iu referuar rastit “Salianji”.

“Opozita nuk mund të imponohet tek mazhoranca me një emër dhe duhet t’i linte hapësirë asaj që të votonte të paktën përballë dy kandidaturave minimalisht. Rikthimi i opozitës tek një avokat që përfaqëson një deputet të caktuar në seancë gjyqësore nuk i bën mirë Avokatit të Popullit”.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë