Gazeta Si – Pekini ka reaguar ndaj kufizimeve të vendosura nga disa vende, përfshirë Italinë, për udhëtarët nga Kina. Ai i quan “diskriminuese” dhe “të pabaza”, “një tjetër mundësi për të na shpifur”. Referenca ka të bëjë me vendimin për të kryer teste anti-Covid në aeroport për udhëtarët që vijnë nga Kina.
Masat, janë marrë nga frika se përhapja e virusit në një popullatë të paimunizuar – të vaksinuar me serume joefektive dhe që nuk ka pasur pothuajse asnjë ekspozim të mëparshëm ndaj virusit për shkak të politikës Zero Covid të kryer prej tre vitesh dhe të pezulluar disa ditë më parë – mund të çojë në variante të reja.

Shqetësues, është fakti se Pekini nuk ndan informacion të mjaftueshëm dhe të besueshëm për ecurinë e pandemisë: dje raportoi 5.5 mijë raste të reja dhe një vdekje.
Por me përfundimin e testimit masiv dhe ngushtimin e kritereve për atë që llogaritet si vdekje nga Covid, shifrat nuk mendohet se pasqyrojnë më realitetin. Disa ekspertë vlerësojnë një milion infeksione të reja në ditë dhe 9,000 vdekje në ditë.
Në SHBA nga 5 janari
Shtetet e Bashkuara po përgatiten t’u kërkojnë udhëtarëve që zbarkojnë nga Kina, të tregojnë një test negativ të kryer jo më shumë se 48 orë para nisjes.
Por masa, e shpallur të mërkurën e kaluar, do të hyjë në fuqi vetëm nga 5 janari 2023.
Në verilindje të vendit, nënvarianti i Omicron, XBB.1.5, është bërë shpejt dominues, ndoshta përgjegjës për kapërcimin e infeksioneve në javën e fundit.

Italia pararendëse
Qeveria italiane ishte e para në Perëndim që rifuti – të mërkurën e kaluar – detyrimin e testit të shpejtë anti-Covid për të gjithë pasagjerët që mbërrinin nga Kina.
Për ta, aeroporti milanez i Malpensës, kishte parashikuar tampon opsional më 26 dhjetor.
Prej ditës së djeshme, testet janë bërë të detyrueshme edhe për pasagjerët që mbërrijnë në Itali pas një ndalese tranzit.
Ata që rezultojnë pozitivë do të vendosen në karantinë. Por linja e kujdesshme e Romës nuk është e ndarë në nivelin e Bashkimit Europian tani për tani.
Ministri i Shëndetësisë, Orazio Schillaci i kishte dërguar një letër Komisionit “për të kërkuar një bashkim për masat” në nivel evropian, një kërkesë që nuk është pranuar për momentin.

BE-ja kërkon kohë
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve e konsideron “të pajustifikuar” tani për tani një verifikim të detyrueshëm në mbarë Evropën të simptomave të Covid për udhëtarët nga Kina, duke qenë se nivelet e imunitetit dhe vaksinimit të vendeve evropiane “janë relativisht të larta”.
“Variantet që qarkullojnë në Kinë janë ato që tashmë po qarkullojnë në BE”, dhe për këtë arsye kontrollet në nivel të Bashkimit Evropian aktualisht nuk konsiderohen të nevojshme.
Pallati Elysee ka bërë të ditur se Franca synon të veprojë në një “mënyrë të koordinuar me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit, siç ka bërë gjithmonë që nga fillimi i krizës shëndetësore”, prandaj nuk do të vendosë asnjë kufizim në mënyrë të pavarur.
Për qeverinë gjermane, vala aktuale e infeksioneve Covid në Kinë nuk është një arsye e mjaftueshme për të vendosur masa të reja hyrjeje, sepse nuk do të kishte indikacione për një variant të ri të virusit më të rrezikshëm se ai që po përhapet në Gjermani.

Edhe Spanja si Italia
Linjën e Rimës ka ndjekur edhe Madridi, i cili do t’u kërkojë udhëtarëve nga Kina një test negativ Covid-19 ose certifikatën e plotë të vaksinimit.
Ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias, duke shpallur masën, theksoi se ekziston një “shqetësim i përbashkët në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar” për evoluimin e infeksioneve në Kinë dhe vështirësinë për të bërë një vlerësim “korrekt” të situatës për shkak të informacionit të pakët ekziston shqetësimi se variante të reja që nuk janë të kontrolluara ose të ndryshme nga ato ekzistuese, mund të përhapen në vend, tha ajo.
Në Japoni tampon dhe kufizime fluturimi
Në Azi, disa vende kanë ndërmarrë veprime. Sot është Japonia ajo që ka filluar të kërkojë teste anti-Covid për të gjithë pasagjerët që vijnë nga Kina.
Ata që dalin pozitivë, do të karantinohen deri në shtatë ditë në objektet e caktuara dhe mostrat e tyre do të renditen në sekuencë.
Qeveria e Tokios tashmë po përballet me një rritje rekord të rasteve dhe vdekjeve (mbi 400 në ditë) në vend.

Fluturimet direkte midis Kinës dhe Japonisë do të kufizohen në katër aeroporte kryesore japoneze për momentin, thanë zyrtarët qeveritarë.
Fluturimet nga Hong Kongu dhe Macau do të lejohen të ulen në tre aeroporte të tjera me kusht që të mos ketë pasagjerë që kanë qenë në Kinën kontinentale në shtatë ditët para fluturimit.
Autoritetet e Hong Kongut i quajtën kufizimet “të paarsyeshme” dhe u kërkuan autoriteteve japoneze t’i heqin ato.
India shtrin masat përtej Kinës
Qeveria indiane ka njoftuar se duke filluar nga e diela, udhëtarët nga Kina (përfshirë Hong Kongun), Japoninë, Korenë e Jugut, Singapori dhe Tajlanda do të duhet të paraqesin një test negativ anti-Covid për të qenë në gjendje të hyjnë në vend.
Koreja e Jugut, Tajvani, Tajlanda
Koreja e Jugut njoftoi këtë të premte se nga 5 janari do t’u kërkojë udhëtarëve nga Kina të tregojnë një test negativ.
Nga e hëna, ata do të duhet të bëjnë edhe testin molekular brenda një dite pas mbërritjes në Korenë e Jugut.
Seuli do të kufizojë gjithashtu numrin e fluturimeve nga Kina dhe vizat afatshkurtra për shtetasit kinezë, përveç atyre që vizitojnë për arsye diplomatike, thelbësore biznesi ose humanitare, të paktën deri në fund të shkurtit.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje