Fatjon Rupi – 2022-shi viti i femrave! Në këndvështrimin sportiv, po. Dy nga momentet kulmore të sportit shqiptar në vitin që lanë më pas kanë të bëjnë pikërisht me suksese femërore, njëri individual dhe tjetri ekipor. Do ishte edhe më femëror, nëse medalja e Evangjeli Velit në peshëngitje nuk do ishte bërë pis nga doping.
Atletja Luiza Gega u shpall kampione Europe, kurse Vllaznia në futboll për femra shkoir deri në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Dy arritje të jashtëzakonshme, historike për sportin tonë. Sigurisht, më i madhi është ai i Luiza Gegës, e cila shkroi historinë e atletikës shqiptare në Gjermani. Ka edhe suksese të tjera të 2022-shit, si finalja historike europiane e ‘Air Albanias’, ai i Ilir Dajës dhe mundësit Abakarov.

Luiza Gega e artë në Europian
Në Europianin e Atletikës të zhvilluar në Gjermani, Luiza Gega mori medalje të artë në garën e 3000 metrave me pengesa më 20 gusht. Pas disa sukseseve të njëpasnjëshme në aktivitete të mëparshme dhe paraqitjes së mirë në Olimpiadën e Tokios, atletja jonë u shpall kampione e Europës.
Ishte e jashtëzakonshme Luiza Gega, ajo e domonoi garën finale në Mynih, duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim vendin e parë. Gega vendosi ritmin e saj në garë dhe pas 100 metrave të para filloi t’i linte pas rivalet.
Atletja jonë regjistroi kohën 9.11.31, që është njëkohësisht rekord për Europianin. Koha e Gegës ishte 6 sekonda më e mirë se e ruses Zaripova, e regjistruar në vitin 2010. Një medalje ari plotësisht e merituar për sportisten e palodhur. Plotësisht e merituara pritja që i bëri kryeministri Edi Rama dhe shpërblimet që iu dhanë.

Vllaznia e femrave, në grupet e Championsit
Vllaznia në futboll për femra, skuadra që ka dominuiar që në krijimin e saj këtë sport, në vitin 2022 shënoi një arritje të madhe, duke u kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. E ndihmuar pak edhe nga fati, pasi të dyja ndeshjet e ‘play-offit’ i luajti në Shkodër, kjo skuadër përfaqësoi futbollin shqiptar të femrave në nivelin më të lartë europian në rang klubesh.
Falë Vllaznisë, në stadiumin ‘Loro Boriçi’ erdhën skuadrat më me emër të futbollit europian, si Çelsi, Real Madrid dhe PSG. Vajzat shkodrane nuk mundën të linin gjurmë në fazën e grupeve, por fituan një përvojë të madhe, që do t’u sherbejë për të ardhmen.

Finalja historike e Ligës së Konferencës
Viti 2022 do të mbetet në histori edhe për një fakt tjetër të rëndësishëm: për herë të parë në Shqipëri u luajt finalja e një kompeticioni europian. Kampioni i edicionit të parë të Ligës së Konferencës, kompeticionit më të ri të UEFA-s, u shpall më 25 maj në ‘Air Albania”. Trofeu i takoi Romës.
Fati e deshi që pas finales Roma-Fejnord të festonte edhe një futbollist shqiptar, Marash Kumbulla. Roma e tij, me Zhoze Mourinjon në stol, fitoi 1-0 me gol të Xaniolos. Për Shqipërinë ishte reklama më e mirë gratis organizimi i këtij eventi, kuptohet në bashkëpunim me UEFA-n. Gjithçka shkoi mirë në nivel organizativ dhe vendi ynë i shtoi pikë vetes në sytë e europianëve.

Ilir Daja dhe suksesi i dyfishtë në Kosovë
Një vit shumë i suskesshëm ishte 2022-shi për trajnerin e njohur shqiptar, Ilir Daja. Ai arriti të shpallë kampion të Kosovës për herë të parë në histori ekipin e Ballkanit. Por nuk u mjaftua me kaq. Ilir Daja e udhëhoqi këtë ekip drejt fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, arritja më e madhe për futbollin kosovar deri tani.
Për Ilir Dajën ishte hera e dytë që shkon në fazën e grupeve të një kompeticioni europian me një ekip shqiptar. Disa vite më parë ai drejtoi Skënderbeun në grupet e Ligës së Europës. Dhe jo vetëm kaq, sepse Ballkani bëri paraqitje shumë të mira në Eiuropë, duke dhuruar lojëra me nivel dhe duke marrë pikë.
Ky sukses bëri që trajneri Ilir Daja të lakohej edhe si kandidat i mundshëm për të drekjtiuar Kombëtaren shqiptare, pas përfundimit të kontratës së Rejës.

Abakarov kampion bote në mundje
Vitin që shkoi, Shqipëria fitoi edhe një tjetër medalje të artë, por ‘të importuar’. Zelimkhan Abakarov, çeçeni që garon për Shqipërinë, ngriti lart flamurin shqiptar në Beograd, duke u shpallur kampion bote në mundje.
Abakarov mundi në finalen e peshës deri në 57 kilogramë amerikanin Tomas Gilman. Një arritje e madhe kjo për mundjen shqiptare. Në gjysmëfinale Abakarov kishte eliminuar serbin Miçiç, që ishte favorit absolut për medaljen e artë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje