Gazeta Si – Katër ushtarë sirianë u vranë në sulmet izraelite në aeroportin e Damaskut, i cili ka dalë jashtë shërbimit.
Lajmin e bën të ditur agjencia zyrtare e lajmeve “Sana”. Sulmi ndodhi rreth orës 02:00 me orën lokale (1 pas mesnate në Europë).
“Armiku izraelit kreu një sulm ajror duke përdorur një breshëri raketash, duke synuar Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut dhe rrethinat e tij”, duke rezultuar në “vdekjen e menjëhershme të dy ushtarëve dhe plagosjen e dy të tjerëve, të cilët vdiqën pak më pas”, thotë “Sana” duke cituar një burim ushtarak sirian. Aeroporti është “jashtë shërbimit”, shton agjencia.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, sulmi izraelit synoi “pozicionet e Hezbollahut dhe grupeve pro-iraniane brenda dhe përreth aeroportit, duke përfshirë një depo armësh”.
Që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011, Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore ndaj fqinjit të tij, duke synuar pozicionet e ushtrisë siriane, forcave pro-iraniane dhe Hezbollahut libanez.
Izraeli rrallë komenton sulmet e tij në Siri, por thotë se nuk do të lejojë Iranin të zgjerojë ndikimin e tij atje.
Këto bastisje shpesh ndodhin pranë aeroportit të Damaskut, i cili tashmë ishte goditur nga një sulm më 10 qershor 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje