Në fillim të këtij viti Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Floriana Garo, e ka fokusuar aksionin e saj politik tek zgjedhjet e 14 majit duke sjellë në vëmendje se si është fryrë administrata këto tetë vite në funksion të kësaj mazhorance.
“Të dhënat e fundit të INSTAT, që është instituti qeveritar i statistikave, japin një shifër alarmante të fryrjes së administratës shtetërore nga Edi Rama. Që nga viti 2014 administrata shtetërore, qendrore apo vendore, është rritur me 22 mijë vetë.
Ata që mendojnë se këto janë rroga që shkojnë për familjet shqiptare e kanë gabim. Këto janë bonuse që u jepen patronazhistëve, kujdestarëve grabitqarë të zgjedhjeve vendore dhe kuvendore në shtet-rrangallën elektorale të Ramës.
Janë para të taksave tuaja, që shkojnë në xhepin dhe kontot e tyre. Ndër këta 22 mijë vetë gjenden militantë të Rilindjes, që e marrin rrogën edhe kur janë jashtë vendit, siç e kemi denoncuar nga kjo foltore rastin e bashkisë së Vaut të Dejës.
Ata shpërblehen që, kur të vijnë zgjedhjet të kthehen në Shqipëri dhe të punojnë për manipulimin e vullnetit të bashkëqytetarëve të tyre. Me pak fjalë të punojnë që rroga e tyre të vazhdojë..”, tha Garo
Ajo nënvizon se në vitin 2021 kur ishin edhe zgjedhjet parlamentare administrata u fry me 8 mijë vetë
“Ky është një alarm i kuq për fatin e zgjedhjeve vendore në prag. Çdo vend pune që shtohet, në nivel qendror apo vendor, nuk është gjë tjetër veçse armatosja e pushtetit të Ramës për të marrë me dhunë zgjedhjet e radhës.
Por, nuk kemi të bëjmë vetëm me krim elektoral, dhe taksapaguesit nuk duhet ta shohin këtë si ankesë të Partisë Demokratike.
Fryrja e administratës do të thotë rritje e peshës së shtetit në ekonomi. Sipas të dhënave të INSTAT, pesha e administratës publike në ekonomi, arsim, shëndetësi etj., në totalin e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) shënoi rritje me 2.5 pikë. Rritja e peshës së administratës në ekonomi nisi gradualisht pas vitit 2013.
Qeveria “Rama 3” ka rreth 15 ministri nga 12 që ishin në qeverinë “Rama 2” dhe 19 në qeverinë “Rama 1”.
Në vitin 2020, nga 10 degët kryesore të ekonomisë, administrata publike ishte e treta për peshën më të lartë në ekonomi, pas bujqësisë me 19.2 %, dhe sektorit të tregtisë, akomodimit dhe transportit me mbi 15%.
Partia Demokratike do t’i përgjigjet armatosjes së administratës për manipulimin e zgjedhjeve dhe rëndimin e arkës së shtetit me rezistencë të çarmatosur dhe të pandërprerë.
Ne do t’i kundërvëmë “shtetit të madh” dhe të kapur të Edi Ramës, alternativën e qendrës së djathtë, duke ftuar të na bashkohen të gjithë ata që besojnë se shteti nuk është i partisë, por i Shqipërisë”, tha Garo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje