Bota

Përshkallëzim ushtarak rus në shkurt, Patriarku Kirill: Armëpushim për Krishtlindjet ortodokse

Gazeta Si – Rusia po përgatitet për një përshkallëzim të ri të situatës në frontin ukrainas në muajin shkurt dhe në të njëjtën kohë po lëviz në prapaskenë për të shtyrë Kievin të nënshkruajë “marrëveshje paqeje” sipas modelit të Minskut, tha për transmetuesin publik “Suspline”, Sekretari i Sigurisë dhe Këshillit të Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksii Danilov.

“Shkurti do të jetë vendimtar për ta, – tha Danilov, – sepse për ta janë të rëndësishme datat, përvjetorët etj. Ata po përgatiten për një përshkallëzim”.

“Tani, një burrë i quajtur (Taras) Kozak (bashkëpunëtor i politikanit ukrainas pro-Kremlinit dhe mikut personal të Putinit, Viktor Medvedchuk), është bërë më aktiv. – vazhdoi ai. – Ai po organizon takime me përfaqësuesit evropianë për të na detyruar të nënshkruajmë disa marrëveshje paqeje, ose kështu besojnë ata, një lloj Minsku 3. Sigurisht, që ne nuk do të pranojmë atë”.

Ndërkohë, Patriarku rus Kirill, ka propozuar vendosjen e një armëpushimi me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse nga ora 12:00 e të premtes 6 janar, deri në mesnatën e 7 janarit.

Kjo bëhet e ditur nga faqja e internetit e Patriarkanës së Moskës. “Unë, Kirill, Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, u bëj thirrje të gjitha palëve të përfshira në konfliktin e brendshëm me një thirrje për të pushuar zjarrin dhe për të vendosur një armëpushim Krishtlindjesh nga ora 12 pasdite e 6 janarit, deri në orën 12 pasdite të 7 janarit, në mënyrë që ortodoksët të mund të marrin pjesë në shërbime në prag të Krishtlindjeve dhe në ditën e Krishtlindjeve”, thuhet në shënim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë